Politikë e politizuar, OSBE: Fushata për 14 majin modeste por dy raste dhune
OSBE-ODIHR publikoi raportin e ndërmjetëm për zgjedhjet e 14 majit, ku thekson se mjedisi politik vijon të jetë i karakterizuar ende nga polarizimi i thellë.
"Mjedisi politik vazhdon të jetë i karakterizuar nga dominimi i elitave politike tradicionale dhe nga polarizimi i thellë ndërmjet partive të mëdha. Kjo, e shoqëruar nga një konflikt brenda PD-së, ndikoi në punën e parlamentit, duke përfshirë dhe reformën zgjedhore".
Në raport theksohet se një sërë rekomandimesh pas zgjedhjeve të vitit 2020 ende nuk janë adresuar.
Mes tyre theksohen masat mbrojtëse kundër abuzimit me burimet publike dhe garancitë e forcuara për balancën gjinore në listat e kandidatëve, sikurse ato që lidhen me përgjegjësinë penale për shpifje, përdorimin e materialeve të fushatës të përgatitura nga partitë politike në lajme dhe të drejta të barabarta të vëzhguesve partiakë dhe qytetarë.
"Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor u ndryshuan për herë të fundit në 2020, dhe dispozitat e reja ligjore, ndër të tjera, që lidhen me administrimin zgjedhor, financimin e fushatës dhe masat mbrojtëse kundër abuzimit me burimet publike, do të zbatohen për herë të parë në zgjedhjet vendore. Këto dispozita adresuan një sërë rekomandimesh të mëparshme të ODIHR-it, por mbeten ende për t'u zbatuar shumë rekomandime prioritare".
Dy javët e para të fushatës sipas vëzhguesve të huaj janë zhvilluar me tone të moderuara, ndërsa kanë evidentuar dy raste dhune, ku njëri i referohet atentatit ndaj kreut të grupimit të Rithemelimit në Vaun e Dejës.
"Fushata ka qenë relativisht modeste dhe me ton të moderuar deri më tani. MVZ-ve të ODIHR-it është në dijeni të dy rasteve të dhunës, ku në njërën prej tyre u rrezikua jeta e një anëtari partie".
ODIHR verën se partitë politike janë të të orientuara më tepër ndaj profileve të kandidatëve sesa platformave specifike politike të tyre, ku zgjedhjet e këshillave kanë kaluar në plan të dytë krahasuar me zgjedhjen e kryetarëve të bashkisë.
Për financimet e partive, në raportin e ndërmjetëm të OSBE-ODIHR thuhet se garuesit mund të financojnë fushatën e tyre me fonde publike dhe private, ndërsa ligji parashikon kufizime.