14 maji/ Vëzhgimi i OSBE/ODIHR: Fushata me tone të moderuara, vetëm 15 kandidate për kryetar bashkie janë femra

14 maji/ Vëzhgimi i OSBE/ODIHR: Fushata me tone të moderuara,

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR në raportin e ndërmjetëm për dy javët e para të fushatës së zgjedhjeve të 14 majit vuri në dukje se fushata ka qenë relativisht modeste dhe me ton të moderuar deri më tani.

Misioni vë në dukje në raport se fushata zgjedhore filloi zyrtarisht në datën 14 prill dhe përfundon një ditë përpara zgjedhjeve, mesnatën e ditës së premte, 12 maj dhe nuk lejohet të bëhet fushatë një ditë para ditës së zgjedhjeve ose në ditën e zgjedhjeve.

“Partitë politike të mëdha e kanë filluar zyrtarisht fushatën. Ato duken të jenë të orientuara më tepër ndaj profileve të kandidatëve sesa platformave specifike politike të tyre, ku zgjedhjet e këshillave kanë kaluar në plan të dytë krahasuar me zgjedhjen e kryetarëve të bashkisë. Ndërkohë që grupet kryesore të opozitës e nisën fushatën e tyre me takime publike, PS në pushtet ka deklaruar që ka synim të ketë një fushatë jo të bujshme”, theksohet në raport.

“Përgjithësisht, fushata është e dukshme, veçanërisht në Tiranë, ku MVZ-ve të ODIHR-it ka vërejtur një prani të konsiderueshme të materialeve të fushatës në terren, përgjithësisht deri më tani ekskluzivisht nga PS. Disa garues iu shprehën MVZ-së të ODIHR-it që kishin planifikuar ta bënin fushatën në media sociale, me vizita derë më derë, takime të vogla me zgjedhës, dhe postera të vegjël”, vijon raporti.

Raporti përmban po ashtu gjetje në lidhje me financimin e fushatës, mbulimin mediatik, ankimin administrativ e gjyqësor, dhe vëzhgimin e zgjedhjeve.

Në lidhje me financimin e fushatës raporti vëren: “Shpenzimet totale të fushatës për një parti nuk duhet të tejkalojnë 300 përqind, dhe ato të kandidatit të pavarur 50 përqind, të masës më të lartë të fondit publik të shpërndarë për një parti, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të fundit vendore. Meqënëse këto fonde u përcaktuan më 22 prill, kufiri i shpenzimeve u bë i njohur për garuesit mbasi fushata kishte filluar."

Misioni i vëzhguesve ndalet edhe tek regjistrimi i kandidatëve ku vëren mes të tjerash se: “Gjithsej 40 parti dhe koalicione me 144 kandidatë për kryetar bashkie dhe rreth 23,700 kandidatë për këshillat bashkiakë, janë duke garuar për 61 pozicione për kryetar bashkie dhe 1,603 pozicione për anëtarë këshilli, duke përfshirë dy kandidatë të pavarur për kryetar bashkie dhe dhjetë për këshillat bashkiakë.

Vetëm 15 nga 144 kandidatët për kryetar bashkie janë femra. Dyzet kandidatë janë ende
nën shqyrtim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe vendimi përfundimtar mbi pranueshmërinë e tyre është pezull”.

Në lidhje me regjistrimin e zgjedhësve, misioni vëren se: “Listat përfundimtare të zgjedhësve përmbajnë gjithsej 3,650,550 zgjedhës”.

EMISIONET