Politika në “aksion”, partitë nuk kanë kohë as për lekët e tyre që do i jepen për fushatën e "14 majit"
Partitë kryesore të politikës shqiptare nuk kanë shfaqur shumë interes për të parë se sa fond do të marrin për vitin 2023. Në mbledhjen e kësaj të premteje asnjë parti nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e kryekomisionerit Ilirian Celibashi për buxhetin vjetor që do ti vihet në dispozicion me vlerë 345 milionë lekë. Ndërkohë KQZ do të vendosë së shpejti edhe fondet që do ti jepen partive për zgjedhjet e 14 majit.
Për vitin 2023, në projektvendimin e bërë nga KQZ buxheti më i madh i fondeve i shkon Partisë Socialiste me 151 milionë lekë ndërsa Partia Demokratike do të marrë një shumë prej 103 milionë lekësh.
E treta vjen Partia e Lirisë me 15 milionë lekë dhe Partia Social Demokrate me 12 milionë lekë. Ndërkohë partitë e tjera përfitonin fonde nga 9 deri në 6 milionë lekë.
Kryekomisioneri Celibashi, përfitoi nga kërkesa e KRIK për të rishqyrtuar projektvendimet duke shtyrë vendimin me kërkesë të partive për tu njohur me draftin.
Celibashi: Partitë politike që janë të interesuara drejtpërsëdrejti për këtë projektvendim nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme për ta vlerësuar draftin e këtij projektvendimi.
Megjithatë procesi për monitorimin e veprimtarisë së administratës ka nisur. KQZ ka zbuluar shkelje në disa ministri e bashki, por Celibashi e kaloi me vërejtje.
Administrata e KQZ-së: Është konstatuar në shkelje të afatit Bashkia Fier, Kavaj dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, por arsyet që kanë dhënë kanë të bëjnë me përllogaritjen gabim të afatit, nuk ka ndonjë mungesë vullneti nga ana e tyre. Ndaj duhet ti tërheqim vëmendje për të llogaritur saktë, pasi janë katër ditë përpara datës së shërbimtarisë dhe jo pesë. Të përheqim vëmendje për këto tre institucione.
Sipas përcaktimeve të kodit zgjedhor prej datës 14 maj pushteti qendror e ai vendor duhet të raportojnë në KQZ aktivitetet për të mos përdorur investimet si propagandë për të përfituar vota.



