PL: Masakrat mjedisore me djegien e plehrave vijojnë, ministrat e kryetarët e bashkive luajnë ping-pong
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun dhe kryesuesja e listës së Partisë së Lirisë të kandidatëve për anëtarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës në zgjedhjet vendore të 14 majit, Silva Caka deklaroi se masakrat mjedisore me djegien e plehrave vijojnë në Shqipëri, ndërsa ministrat e kryetarët e bashkive luajnë ping-pong me njëri–tjetrin, duke pasuar përgjegjësitë në kurriz e në dëm të banorëve.
“Inceneratori i Elbasanit, i cili u ka kushtuar shqiptarëve 26 milionë euro, vijon të mos funksionojë dhe plehrat vijojnë të digjen në mënyrë primitive, nëpër brigje lumenjsh, duke shkaktuar masakër mjedisore dhe njerëzore.
Denoncimi i fundit vjen nga Bradasheshi në Elbasan, ku plehrat derdhen nga kamionët e Bashkisë së Elbasanit dhe digjen aty në mënyrë monstruoze, pa më të voglin shqetësim nga ata të cilët vodhën miliona euro për inceneratorin e Elbasanit.
Por këtë fakt nuk e shohin as Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledjan Llatja e as Ministrja e Turizmit e Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Sigurisht, milionat e eurove që janë vjedhur në projektin e inceneratorit të Elbasanit ia kanë zënë sytë të dyve, madje iu kanë mbyllur edhe veshët e gojën.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledis Llatja thotë se nuk është e vërtetë, kur janë banorët ata që e denoncojnë çdo ditë këtë gjë, pasi tymi i zi i plehrave që digjen u mbulon shtëpitë çdo natë.
Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro thotë se nuk i ka parë pamjet e hedhjes dhe djegies së plehrave në Bradashesh, por edhe pasi i pa, tha se është përgjegjësi e Bashkisë.
Po inspektorët e mjedisit çfarë pune kanë Znj. Ministre? Apo të vendosin gjoba për ndonjë fshatar që pret ndonjë pemë për të bërë dru e për t’u ngrohur në dimër? Po ti Znj. Ministre, pse nuk maskohesh e të dalësh për inspektim vetë në këto zona, siç maskoheshe për të dalë plazheve?
Për Gledis Llatjen dhe Mirela Kumbaron përgjegjësia nuk është e tyre, as e vartësve të tyre, madje po të jetë për funksionarët e Rilindjes, fajet gjithmonë i ka populli.
26 milionë euro janë vjedhur nga taksat e banorëve të , Bradasheshit, Elbasanit e gjithë Shqipërisë e këta monstra vijojnë të hedhin plehrat në vend-depozitime të paligjme e t’i djegin ato në mënyrë primitive, duke i trajtuar shqiptarët si kavie të eksperimenteve të tyre.
Elbasani është një bashki që vuan çdo ditë mbizotërimin e krimit, ndotjen mjedisore, shpopullimin dhe harresën, prandaj 14 Maji do të sjellë mundësinë edhe për qytetarët e tij, për të bërë zgjedhjen më të mirë për veten, duke zhdukur nga drejtimi i bashkisë kryetarët turistë, që shkojnë vetëm për të mbushur xhepat e tyre”, deklaroi Silva Caka.