Për vota edhe në fshat, Gledian Llatja: Për një mandat të dytë për rritjen e Elbasanit
Gledian Llatja ka zhvendosur fushatën në fshatra këtë të martë. Gjatë takimeve ai theksoi se mandatin e dytë e kërkon për t'i dhënë shtysë rritjes ekonomike dhe zhvillimit të Elbasanit
Kryetari në detyrë i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja ka vijuar fushatën elektorale me takimet me banorët në fshatra.
Në Griqan të Poshtëm ai ka sjellë në vëmendje investimet e realizuara në mandatin e tij të parë.
“Kemi rregulluar rrugën kryesore të fshatit, energjinë elektrike, komplet kabllot e sistemit tonë, kemi hapur rrugën e varrezave, kemi mirëmbajtur rrugët e arave dhe të fshatit. Kemi qenë këtu me pak fjalë për katër vite”, tha ai.
Por në kërkim të një katër vjeçari tjetër ai shprehet se vota nuk duhet të shkojë në drejtim të Metës dhe Berishës, por në mbështetje të rritjes ekonomike të Elbasanit.
“Jemi të bindur se ky katër vjecar ka për të qenë katër vjeçari i zhvillimit ekonomik të Elbasanit. Ne për këtë duam mbështetjen tuaj, duam votëbesimin tuaj, për këtë kemi ardhur sot të kërkojmë mbështetjen tuaj për 14 Maj, të jemi të gjithë bashkë, të bëjmë punë të mira, të mos kthehemi tek Saliu , të mos kthehemi tek Iliri të mos kthehemi tek shkatërrimi i vendit dhe Shqipërisë. Duam të ecim përpara!”, u shpreh Llatja.
Në takime u theksua se vota nuk duhet të jetë vetëm për kryetarin e bashkisë por edhe për listën e këshilltarëve. Socialistët theksuan se vetëm në këtë mënyrë do të bëhet e mundur të miratohen projektet.