“Paqe” mes PD e PS, Rama i kërkon që të mbjellë pemë në Shkodër, Bardh Spahia e pranon
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, i ka kthyer përgjigje kryeministrit Rama, lidhur me kërkesën e këtij të fundit për bashkëpunim, që në territorin e Bashkisë së Shkodrës, të mbillen pemë me para të fushatës.
Spahia i ka kthyer përgjigje letrës së kryetarit të PS-së Edi Rama për mbjellje pemësh, duke shkruar se do të vendosë në dispozicion drejtoren e Mjedisit në bashki.
“Duke filluar nga data 11 prill, PS dëshiron të zhvillojë përveçse aktiviteteve të tjera edhe mbjellje pemësh në territorin e bashkisë suaj. Për sa më lartë, ju lutem të na vini në dispozicion një kontakt pune, që të informohemi për pikat e mundshme të mbjelljeve, si dhe të sigurohemi për përgatitjet e nevojshme të truallit për t’u mbjellë”, thuhej në shkresën e PS drejtuar krerëve të bashkive të vendit.
Më herët Rama deklaroi se 2 javët e para të fushatës së PS-së do të shfrytëzohet për mbjellje pemësh dhe jo në shpenzime elektorale.