Panariti: Bujqësia dhe fshati të braktisur nga qeveria, shkak i shpopullimit të vendit dhe rritjes së çmimeve
Sekretarit të Bujqësisë dhe Ushqimin në Partinë e Lirisë, Edmond Panariti deklaroi se braktisja e bujqësisë dhe e fshatit, mbyllja e fermave dhe e bizneseve të vogla dhe të mesme është drama jo vetëm e bujqësisë por edhe e vendit.
Nga foltorja e PL-së, Panariti theksoi se kemi një ulje të ndjeshme të ofertës së prodhimeve bujqësore vendase dhe rritje galopante të importeve bujqësore.
Dhe kjo, tha ai, ka si pasojë rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.
“Duke rënduar buxhetet familjare dhe përkeqësuar nivelin e jetesës të qytetarëve. Kemi një thellim të defiçitit tregtar në Bujqësi. Sepse vetëm gjatë vitit të kaluar importet e perimeve dhe frutave u rritën me 40% më shumë së një vit më parë.
Po kështu janë dyfishuar importet e prodhimeve blegtorale, sepse blegtoria jonë brenda pak viteve është përgjysmuar në numër nga mungesa e përkrahjes dhe e financimit.
Por Shqipëria edhe në eksportet Bujqësore në raport me eksportet në tërësi të mallrave bujqësore, është e fundit në rajon.
Eksportet bujqësore të ne zënë vetëm 7% të vlerës totale të eksporteve, ndërkohë që 46% e fuqisë punëtore të vendit punësohet në bujqësi dhe kontributi i saj në prodhimin e përgjithshëm bruto vazhdon të jetë rreth 19%.
Por te fqinji jonë Maqedoni e Veriut, eksportet bujqësore zënë 15% të totalit të eksporteve, pra më shumë se dy herë krahasuar me ne, paçka se atje bujqësia punëson vetëm 19% të fuqisë punëtore dhe kontribuon me vetëm 10% në PBB.
Përse ndodh kjo, përse ky hendek?
Sepse atje e mbështesin bujqësinë, e mbështetin fermerin, e mbështesin sipërmarrësin me 155 milionë euro subvencione, nga 20 milionë euro që i japin ne bujqësisë në letër, pra ne i japim bujqësisë tetë herë më pak se Maqedonia e Veriut.
Por më dramatike dhe e pafalshme është vlera e shtuar që ne i japim pjellorisë natyrale të tokës sonë bujqësore për hektarë, nëpërmjet investimeve mbi të.
Nga 980 dollarë për hektarë që e ka pjellorinë saj natyrore toka jonë (pa dyshim ndër më të larta në rajon dhe në Evropë) nëpërmjet investimeve mjerane të kapitalit mbi të prej vetëm 3 euro për hektarë ne e çojmë produktivitetin e saj në vlerë në pak më shumë se 1000 dollarë për hektarë, pra i marrim fitim vetëm 30 dollarë për hektarë më shumë nga sa ajo ofron vetë natyralisht.
Po çfarë ndodh me fqinjin tonë lindor Maqedoninë e Veriut.
Pjelloria natyrale e tokës atje është 30% më e ulët krahasuar me tokën tonë, pra me vetëm 645 dollarë për hektarë, por shteti maqedonas me investime dhe subvencione të fuqishme e më shumë se katërfishon pjellorinë natyrore duke e çuar vlerën prodhuese në 2666 dollare për hektarë, pra plot 2630 dollarë për hektarë fitim më shumë se ne.
Por ajo që të prek edhe më shumë është mungesa totale e vëmendjes dhe dhembshurisë për të rinjtë dhe të rejat që duan të nisin një investim në bujqësi te ne.
Zero vëmendje dhe zero përkrahje për ta, ndërkohë që fqinji jonë mbështet me aplikim çdo biznes të ri familjar bujqësor me 10 mijë euro grant bazë materiale.
Pra vetëm për t’u ngritur me këmbë si një startup i ri, një biznes familjar bujqësor atje përfiton 10 mijë euro, për t’u mbështetur dhe lehtësuar më pas dhe më tej me subvencione të tjera në proces.
Nëse ne do ta pranojmë këtë gjendje, nëse ne do ta lejojmë këtë statusquo, jemi drejt greminës me bujqësinë dhe blegtorinë.
Kjo është një arsye e fortë për të gjithë fermerët dhe agrobiznesin për t’ju bashkuar popullit opozitar në datën 3 mars për t’u mos pajtuar dhe për ta ndaluar degradimin e këtij sektori jetësor të vendit”, tha Edmond Panariti.