Një radikal për Tiranën, Arlind Qori: Kryeqyteti ka nevojë për plan të ri urbanistik, hetim kullave
Në garë për bashkinë e Tiranës është edhe pedagogui dhe aktivisti Arlind Qori nga Lëvizja Bashkë.
I ftuar në "Drejt" teksa prezantoi programin e tij për kryeqytetin tha se Tiranës i duhet një plan i ri urbabnistik.
Qori: Tirana ka nevojë për një plan të ri urbanistik. Plani aktual ka densifikuar jashtëzakonisht qendrën e qytetit, ka zhdukur parqet, fushat sportive, këndet e lojërave dhe në vend të tyre janë ndërtuar kulla. Një plan i ri urbanistik që do të duhet të votohet nga qytetarët në fund me një referendum lokal, këtë kemi ne në program, do duhet të shohë me përparësi mbrojtjen e hapësirës publike dhe rikuperimi kudo ku është e mundur.
Lejet e ndërtimit të dhëna nga bashkia mund të hetohen dhe nëse dalin të paligjshme pas hetimit bashkia ka të drejtën ta prishë ndërtesën e paligjshme dhe koston e prishjes t'ja vendosë ndërtuesit. Të paktën kullat e ndërtuara në qendrën historike të qytetit të hetohen. Nëse gjendjen shkelje të ligjit dhe unë mendoj se do të gjenden, atëherë kullat do shemben. Ligji i miratuar në 2014 e parashikon këtë gjë.