KUVEND "ME HALLE"/ Me të mbaruar Himni i Flamurit, opozita “pushton” foltoren, Peleshi prezanton objektivat mes kaosit. Miratohet kalendari
Që në nisje të sesionit të ri parlamentar, opozita nuk ka lejuar zhvillimin e seancës së planifikuar këtë pasdite, 19 janar, duke bllokuar foltoren dhe kabinetin.
Teksa kryeparlamentari Niko Peleshi mban fjalimin në legjislaturën e re, kryetari i PD, Sali Berisha dhe deputetët e tjerë opozitarë kanë bllokuar foltoren, duke e akuzuar qeverinë dhe kabinetin Rama, si të marrë peng.
Sipas pamjeve të transmetuara live, shfaqet kryedemokrati Sali Berisha në foltore, i shoqëruar nga deputetët e tjerë të Partisë Demokratike, sidomos Gazment Bardhi, i cili ka ngritur tonet.
Garda e Republikës ka rrethuar foltoren, në mënyrë që të parandalojë një revoltë të ngjashme si ajo e sesionit të fundit parlamentar për vitin 2025.
Shkak për këtë situate është bërë, pjesëmarrja e numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, e cila është e pranishme në sesionin e ri.
Opozita ka këmbëngulur prej ditësh mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve për t’i hapur rrugë, heqjes së imunitetit të deputetes Belinda Ballluku, kërkesë kjo e SPAK-ut.
Teksa kaosi vazhdon dhe Niko Peleshi prezanton objektivat parlamentare, kreydemokrati Berisha ka preferuar të futet live nga foltorja e "zaptuar" e Kuvendit në rrjetet sociale.
Në foltoren e Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi që ashtu si Erion Veliajn, Belinda Balluku dhe Edi Rama t’i dorëzohen drejtësisë, duke paralajmëruar se Kuvendi nuk duhet të kthehet në “bunker të korrupsionit”.
Ai i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit të thërrasë Këshillin e Rregullores dhe të veprojë ndaj zyrtarëve të përfshirë në afera, ashtu siç u veprua me Erion Veliajn.
“Të korruptuarit dorëzojani drejtësisë. Ashtu siç dorëzuat Erion Veliajn, do të dorëzoni edhe Belinda Ballukun dhe më pas Edi Ramën.
Mblidh Këshillin dhe dorëzo të korruptuarit. Mos u bëj bunker i korrupsionit, je kryetare e Kuvendit.
E vetmja detyrë që ke është të mblidhësh Këshillin e Rregullores.”-theksoi Bardhi.
Dhe pas kaosit te krijuar, mazhoranca miratoi e vetme projektprogramin dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit, si dhe projektkalendarin e ushtrimit të kontrollit parlamentar, në përputhje me Rregulloren.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka hapur sot sesionin parlamentar duke uruar deputetët dhe qytetarët për një vit të mbarë.
Ai ka theksoi rëndësinë e axhendës europiane, rritjen e standardeve parlamentare dhe nevojën për ligje dhe institucione që funksionojnë në dobi të qytetarëve.
Peleshi bëri thirrje për disciplinë dhe respekt institucional, duke theksuar se gjuha e urrejtjes dhe përbaltja nuk mund të normalizohen si politikë.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbikëqyrjes së reformave, transparencës dhe teknologjisë për një Kuvend më të hapur dhe më funksional.
Fjala e Peleshit:
Të nderuar kolegë deputetë,
Sot nisim sesionin e dytë të Legjislaturës së XI.
Ju uroj një vit të mbarë, shëndet dhe mbarësi në familjet tuaja dhe në çdo familje shqiptare.
Uroj që ky vit të jetë një vit pune të mirë, me më shumë qetësi institucionale dhe me më shumë rezultate që ndihen në jetën e qytetarëve.
Në këtë Kuvend na ka sjellë besimi i qytetarëve nga të gjitha anët e vendit.
Ata presin që ne të mbajmë parasysh interesat e tyre dhe interesat e vendit, kur propozojmë apo miratojmë ligje.
Të rinjtë duan të binden se e nesërmja për ta është më e mirë këtu sesa çdo opsion tjetër.
Të moshuarit duan të sigurohen se mundi i viteve të punës do të shpërblehet me ditë të bardha.
Qytetarët, në qytet apo në fshat, kërkojnë siguri dhe standarde gjithnjë e më të mira të shërbimeve publike dhe të infrastrukturës.
Axhenda integruese në Bashkimin Europian, që do të jetë kryefjala edhe në këtë sesion të ri, ka potencial të jashtëzakonshëm për të dhënë përgjigje ndaj sfidave të shoqërisë shqiptare dhe për t’u kthyer në një narrativë kombëtare entuziaste.
Ky sesion nuk është thjesht vazhdim i një kalendari.
Është një provë e dytë – provë e pjekurisë sonë parlamentare, e standardeve që pret shoqëria prej nesh dhe e aftësisë për ta kthyer momentin europian të Shqipërisë në ligje të mira, institucione më të forta dhe një dialog politik më dinjitoz.
Gjatë sesionit të parë u përballëm me një ngarkesë të konsiderueshme pune dhe një axhendë të ngjeshur ligjvënëse e mbikëqyrëse.
Por, le ta pranojmë me sinqeritet, krahas volumit të punës, kemi pasur shpesh edhe një ngarkesë të tepruar politike, larg funksionit tonë dhe larg nevojave reale të qytetarëve.
Kjo është arsyeja pse sesioni që çelim sot kërkon një kthesë të vogël në stil dhe një kthesë të madhe në rezultate.
Në vitin që vjen do të ketë më shumë ligje për të shqyrtuar, më shumë detyra për komisionet, më shumë raporte dhe kontroll, më shumë monitorim të reformave dhe më shumë pritshmëri nga publiku. Do të ketë edhe më shumë sfida politike, por detyra jonë është ta mbajmë Kuvendin në rolin e vet: një institucion që prodhon zgjidhje dhe standarde, jo zhurmë.
Gjatë sesionit të kaluar zhvilluam 18 seanca plenare, miratuam 41 ligje dhe 59 vendime. U zhvilluan 2 interpelanca dhe 2 mocione me debat. Deputetët e shumicës mbajtën 229 diskutime me kohëzgjatje rreth 40 orë, ndërsa deputetët e opozitës 330 diskutime me kohëzgjatje rreth 48 orë.
Falënderoj të gjithë kolegët deputetë, administratën parlamentare dhe strukturat mbështetëse, sepse, pavarësisht tensioneve, ky Kuvend ka vijuar të funksionojë, të vendosë dhe të prodhojë.
Por këtë vit na duhet diçka më shumë: më shumë fokus dhe më shumë disiplinë ndaj axhendës europiane.
Një parlament europian nuk matet vetëm me numrin e ligjeve që miraton, por edhe me kulturën që përçon.
Ne nuk mund të kërkojmë standarde europiane nga shoqëria, nëse brenda kësaj salle nuk vendosim standarde të reja të sjelljes dhe të respektit institucional.
Për këtë arsye, dua ta ritheksoj qartë: gjuha e urrejtjes, fyerjet, personalizimi i debatit, nënçmimi dhe përbaltja nuk mund të normalizohen dhe nuk mund të shiten si “politikë e fortë”.
Nuk janë forcë.
Janë dobësi. Një dobësi që parlamentet e vendeve të Bashkimit Europian e kanë lënë pas prej dekadash.
Si Kryetar i Kuvendit, do të vazhdoj ta ushtroj detyrën me përkushtim dhe paanësi, me bindjen se shumica dhe pakica dallojnë nga fuqia vendimmarrëse, por jo nga të drejtat, jo nga mundësitë për të folur, jo nga qasja në proces dhe jo nga respekti institucional që meriton secili deputet.
Kjo është baza e një Kuvendi që fiton autoritet.
Europa ka qenë fokusi kryesor i veprimtarisë sonë dhe do të mbetet i tillë.
Shqipëria sot është në një fazë të re: faza ku nuk flasim më vetëm për “rrugëtim”, por për “hyrje”.
Nga proces integrimi, në proces anëtarësimi.
Ky ndryshim kërkon më shumë përgjegjësi, më shumë koordinim institucional dhe një konsensus politik më të gjerë për çështjet strategjike.
Objektivi ynë është i qartë: mbyllja e negociatave teknike brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi brenda kësaj dekade.
Në këtë kuadër, Kuvendi duhet të bëjë dy gjëra njëkohësisht:
– të përshpejtojë përafrimin ligjor, pa komprometuar cilësinë e ligjit;
– të rrisë kontrollin mbi zbatimin, sepse në Bashkimin Europian nuk mjafton të miratosh, duhet të provosh se ligji funksionon.
Kjo do të thotë që sesioni i ri duhet të jetë sesioni ku kontrolli post-legjislativ bëhet praktikë e qëndrueshme: ligjet të maten jo vetëm në sallë, por në terren – te qytetari, te biznesi, te shërbimi publik.
Gjatë sesionit të kaluar vijoi bashkëpunimi funksional me institucionet e pavarura dhe u përmbyll raportimi i 27 institucioneve.
Kjo nuk është një rutinë proceduriale. Është mënyra se si Kuvendi mban gjallë ekuilibrat kushtetues dhe garanton që institucionet të funksionojnë si mbrojtës të interesit publik.
Mbështetja ndaj institucioneve të drejtësisë mbetet e palëkundur.
Sot kemi një drejtësi të re, të pangjashme me atë të trashëguar.
Kuvendi ka një rol kyç në sfidën për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies.
Sesioni që nisim sot do të udhëhiqet nga disa drejtime të qarta pune:
•Axhenda e integrimit europian si prioritet i padiskutueshëm
Projektligjet e përafrimit, reformat për shtetin e së drejtës, antikorrupsionin, të drejtat themelore, lirinë e medias, transparencën dhe mirëqeverisjen do të kenë trajtim të përshpejtuar, por edhe filtrin e cilësisë.
•Diplomacia parlamentare si rrjet besimi për anëtarësimin
Diplomacia parlamentare do të jetë më aktive, më e koordinuar dhe më e pranishme, sepse procesi i anëtarësimit është edhe proces besimi, ku sfida më e madhe nuk është vetëm përafrimi teknik, por ratifikimi final nga të gjitha shtetet anëtare.
•Mbikëqyrje më e fortë, më e dobishme, më pak formale
Kuvendi do të rrisë kërkesën për llogaridhënie, me më shumë mekanizma kontrolli dhe me më shumë vlerësim të ndikimit real të ligjeve dhe politikave publike.
•Modernizimi dhe transparenca-Kuvendi i hapur 24/7
Teknologjia nuk është luks, por mjet për ta sjellë Kuvendin më pranë qytetarëve: arkivim, indeksim dhe transmetim më të mirë e më të kuptueshëm të punimeve parlamentare, konsultim publik më të aksesueshëm, gjurmim të akteve dhe një kulturë të re transparence që e bën Kuvendin të lexueshëm për publikun.
Të gjitha këto sot i bën të mundura teknologjia, me më shumë lehtësi dhe cilësi.
Të nderuar kolegë deputetë,
Na pret një volum i madh pune. Por ky volum është privilegj dhe përgjegjësi, sepse kemi në dorë një kapitull historik: ta afrojnë Shqipërinë me Europën jo vetëm si aspiratë, por si standard.
Në fund të kësaj legjislature, Kuvendi duhet të jetë më i respektuar, më funksional, më i hapur dhe më europian në etikë, në procedurë, në cilësinë e debatit dhe në shërbimin ndaj qytetarëve.
Përballë sfidave të mëdha kombëtare nuk jemi thjesht shumicë apo opozitë. Jemi bij e bija të së njëjtës Shqipëri, që duhet të ecë me dinjitet drejt të njëjtit destinacion: Shqipërisë anëtare të Bashkimit Europian.
Ju uroj punë të mbarë dhe suksese në këtë sesion parlamentar.




