VIDEO/ Arrestohet Fredi Bejleri, kandidati për kryebashkiak në Himarë akuzohet për krim zgjedhor
Në orët e para të kësaj të premteje është arrestuar kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Bejleri.
Mësohet se Bejleri është shoqëruar në DVP Vlorë me urdhër të Prokurorisë së Vlorës rreth orës 00:15, ku edhe ndodhet aktualisht së bashku me dy anëtarë të shtabit të tij elektoral.
Beleri është prangosur dhe dyshohet se akuzohet për shit-blerje votash.
Mes personave të ndaluar është Pano Kokoveshi, i cili rezulton të jetë truproja e Fredi Belerit.
Aktualisht, janë shoqëruar në komisariatin e Vlorës disa banorë të Himarës, të cilëve u është dhënë para me qëllim blerjen e votës.
Hetimi kishte disa ditë që po ndiqej nga prokurorja Matilda Peza, pasi informacionet e çuara nga Drejtoria Vendore e Qarkut Vlorë, flisnin për një aktivitet të ngjeshur të Fredi Belerit në veprimtarinë e blerjes së votave në qytetin e Himarës.
"Për shkak të sigurimit të provave, prokuroria Matilda Peza, ka nxjerë urdhërin e ndalimit të Fredi Belerit, duke bërë që ky urdhër të ekzekutohet në mënyrë të menjëhershme nga strukturat operacionale të policisë Vlorë.
Pritet që çështja t'i kalojë për hetime të mëtejshme prokurorisë së Posaçme SPAK, pasi kjo prokurori ka kopetencën lëndore për hetimin e veprave penale që lidhen me korrupsionin zgjedhor", raporton gazetari Elton Qyno.
Ndërkaq Bejleri nga Himara është dërguar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Vlorës, kjo edhe për të shmangur ndonjë irritim të mbështetësve të tij.
Ai është marrë në pyetje në Komisariatin e Vlorës, ndërsa "Ora News" ka siguruar videon nga momenti i arrestimit të Fredi Belerit, kandidatit të koalicionit "Bashkë fitojmë" për bashkinë Himarë brenda ambienteve të lokalit të tij.
Në pamje duket që Beleri po qëndron me disa persona në lokalin e tij në shëtitoren e Himarës kur efektivë të Policisë së Shtetit e arrestojnë.
Në ambientet para komisariatit të Himarës u mblodhën me urgjencë një grup simpatizantësh, ndërkohë që ka qenë i pranishëm edhe Vangjel Dule, kreu i PBDNJ, partia në koalicion me Berisha-Meta që e ka propozuar kandidatin Beleri.
Në një prononcim për mediat Dule e ka quajtur sulm të pastër politik arrestimin e Fredi Belerit dhe bën thirrje që të tilla tentative për pengimin e procesit elektoral të ndalen veprime të tilla.
Kujtojmë se kandidati i “BF” në Himarë, Beleri ka qenë ditët e fundit në qendër të akuzave politike, sidomos edhe pas deklaratës se me ardhjen e tij në krye të Bashkisë, do të punojë për helenizimin e Himarës.