Gostivar/ Qindra qytetarë në urgjencë, dyshohet të h*lmuar nga uji

Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut kanë shpallur epidemi gastrointestinale në komunën e Gostivarit, pas rritjes së ndjeshme të rasteve me simptoma të të vjellave dhe diarresë.
Vendimi është marrë nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), pasi numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka tejkaluar pragun javor të parashikuar për shpalljen e një epidemie.
Sipas të dhënave të ISHP-së, vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Repartin e Sëmundjeve Infektive janë paraqitur 204 pacientë, tre prej të cilëve janë shtruar në spital. Ndërkohë, në repartin e Pediatrisë janë trajtuar 145 fëmijë, ku 105 raste janë regjistruar për herë të parë. Edhe në Repartin e Urgjencës janë paraqitur nëntë pacientë me të njëjtat simptoma, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se numri i të prekurve vijon të rritet.
Sipas ISHP-së, shpallja e epidemisë do të mundësojë koordinim më të mirë mes institucioneve shëndetësore dhe do të ndihmojë në identifikimin e burimit të infeksionit.
Banorët e Gostivarit prej katër ditësh po përballen me probleme shëndetësore, ndërsa dyshimet e para lidhen me ndotjen e rrjetit të ujësjellësit.
Për këtë arsye, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar përdorimin e ujit të pijshëm në qytet. Instituti i Shëndetit Publik ka zgjeruar masat, duke ndaluar përdorimin e ujit edhe për larjen e frutave, perimeve dhe enëve që përdoren për përgatitjen ose konsumimin e ushqimit, deri në një njoftim të dytë.
