E RËNDË NË KUKËS/ “Vëllai i Safet Gjicit dhe shoqëruesi i tij me G-Class 300 mijë euro na kërcënuan me armë”. Ndërhyn Sinamati
Tensionohet situata në qytetin e Kukësit në ditën e fundit të fushatës elektorale.
Bedri dhe Nebi Sinamati banorë të fshatit Bushat kanë denoncuar Lavdrim Gjicin, vëllain e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë Kukës Safet Gjici, për presion dhe dhunë deri në nxjerrjen e armës së zjarrit nga shoqëruesi i tij.
Dy kushërinjtë tregojnë edhe rrjedhen e ngjarjes se si janë kërcënuar sapo kanë dalë para shtëpisë së tyre në orët e vona të mbrëmjes.
Fillimisht, thonë ata, dolëm me automjetin tonë nga banesa dhe po shkonim tek shtëpia e kushëririt tjetër.]
“Sapo kemi dalë në rrugën e lagjes na është bllokuar rruga nga ky automjet që shihni në pamje, në vendin e parë të mjetit dallohet qartë se është i ulur Lavdrim Gjici, vëllai i kandidati të PS-ës për Bashkinë Kukës së bashku me një përson tjetër”, thonë ata.
Dega e Partisë Demokratike në Kukës publikoi pamjet dhe deklaroi se “askush nuk do të shantazhohet apo frikësohet më nga monstrat e fundit të qytetit”.
Ndërkohë, pas këtij incidenti reagimi i qytetarëve ka qenë i menjëhershëm.
Ata janë grumbulluar para Drejtorisë së Policisë së Kukësit në mbështetje të dy kushërinjëve të këcënuar me armë para banesës së tyre.
Është dashur ndërhyrja e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Admir Sinamati për të shtensionuar situatën para Drejtorisë së Policisë Kukës, situatë e cila mund të shkonte në përplasje mes palëve.
Kandidati Admir Sinamati dënoi aktin e shëmtuar të vëllait të kundërshtarit të tij politik dhe tha se kjo situatë ka ardhur si shkak i tensionimit të gjendjes, presioneve të vazhdueshme, blerjes së votës e deri tek përdorimi i armëve ndaj banorëve nga mbështetësit e familjarët e Safet Gjicit.
Policia ka bërë shoqërimin e mjetit, por edhe të përsonave të përfshirë në këtë incident zgjedhor.