Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutojnë për Ballkanin Perëndimor. Merr pjesë edhe Xhaçka
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka merr pjesë sot në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE me Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Këshillit të Çështjeve me Jashtë të BE-së, në Bruksel.
Në këtë takim do të trajtohen çështje të bashkëpunimit rajonal, integrimit evropian, çështje të sigurisë etj.
Pas takimit, kryediplomatja shqiptare, Xhaçka do të zhvillojë edhe një takim dypalësh me Komisionerin Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Takimi
Në takimin e sotëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel, ministrat e vendeve anëtare do të diskutojnë për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Atyre do t’iu bashkohen edhe ministrat e Punëve të Jashtme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimeve nga Bashkimi Evropian temat kryesore që do të jenë në rend dite janë procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Evropian pritet të përsërisë edhe një herë përkushtimin për të vazhduar ndihmën për rajonin, por edhe të kërkojë nga këto vende të kryejnë obligimet e marra për të zbatuar reformat dhe për t’u përshtatur edhe me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm i Suedisë Tobias Billstrom, vendi i së cilit ka kryesimin e radhës së BE-së, ka thënë në prag të takimit se “vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE, por ne do të vazhdojmë të presim nga ta përshtatje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian“.
Senati amerikan propozon një projektligj të ri për Ballkanin Perëndimor
Ministri i Jashtëm i Kroacisë Gordan Grliq-Radman ka thënë se Kroacia mbështet zgjerimin e BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por po ashtu kërkon që ato vende të respektojnë vlerat evropiane dhe të bashkëpunojnë në disa fusha, përfshirë edhe çështjen e imigrimit ilegal. Deri tani, të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, kanë mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë. Për më tepër, në vitin e fundit, përshtatja e Serbisë me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme është zvogëluar edhe më shumë.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim edhe për kërcënimet që dëgjohen në Bosnje e Hercegovinë për rrezikimin e integritetit territorial të këtij vendi. Thirrje të tilla vazhdojnë të vinë nga lideri i Serbëve të Bosnje e Hercegovinës Millorad Dodik. Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pritet që edhe nga ky takim të përsëritet thirrja për progres në procesin e normalizimit të raporteve dhe zbatimin e të gjitha obligimeve që palët kanë marrë përsipër në këtë proces.
Pas udhëzimeve që liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor kanë dhënë nga samitet e Bërdos në vitin 2021 dhe Tiranës në vitin 2022, Bashkimi Evropian ka asistuar partnerët që të zhvillojnë kapacitetet e tyre për t’u përballur me kërcënimet hibride, posaçërisht ato kibernetike dhe me fushatat e manipulimit dhe ndërhyrjes nga faktorë të jashtëm.
BE-ja ka përfshirë vendet e rajonit edhe në planet e përbashkëta për të parandaluar aktet terroriste. Të gjitha këto do të jenë edhe tema për të cilat ministrat e BE-së dhe kolegët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor do t’i diskutojnë në takimin e tyre të përbashkët.