Meta: Rama po bën terror policesk ndaj bizneseve të Agron Shehajt, hiq dorë urgjent nga sulmet
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka postuar një video në Facebook ku shkruan se Rama po bën terror policesk ndaj bizneseve të ndershme.
Ai shkruan se falangat e Policisë së "Rilindjes" terrorizojnë bizneset e deputetit të PD, Agron Shehaj me qëllim për të intimiduar dhe shantazhuar një zë kurajoz të opozitës.
Meta shton se e dënon me forcë një sjellje të tillë dhe i bën thirrje Edi Ramës të heqë dorë urgjentisht nga sulmet e paligjshme ndaj bizneseve të ndershme.
Meta: Sulmet politike dhe terrori policesk i Edi Ramës kundër bizneseve të ndershme, të identifikuara nga patronazhistët si mbështetëse të opozitës janë një tjetër dëshmi e arbitraritetit dhe paligjshmërisë të bandës së "Rilindjes". Ndërkohë që shpall ministrat e tij si "investitorë strategjikë" dhe u fal gjobat e taksat e shqiptarëve oligarkëve dhe klientëve të tij, për herë të katërt, pa asnjë urdhër dhe pa vendim gjykate, falangat e Policisë së "Rilindjes" terrorizojnë bizneset e deputetit të PD, Agron Shehaj me qëllim për të intimiduar dhe shantazhuar një zë kurajoz të opozitës.
Duke dënuar me forcë këtë sjellje arbitrare të përsëritur, i bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë urgjentisht nga sulmet e paligjshme ndaj bizneseve të ndershme. Të vendosur në betejën për mbrojtjen e interesit qytetar, të bizneseve të ndershme dhe shporrjen me çdo çmim të këtij regjimi mafioz!