Meta: Pastërtia dhe integriteti i kandidatëve tanë ka shkaktuar ankth, qytetarët u lanë pas dore për 4 vite

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaroi se tashmë ata janë në një garë ku superioriteti dhe pastërtia e kandidatëve të koalicionit Bashkë Fitojmë ka bërë një diferencë duke i shkaktuar ankth palës tjetër.
"Jemi në një garë ku superioriteti, integriteti, pastërtia e kandidatëve tanë, përveç programeve të tyre mjaft tokësore, realiste, të realizueshme, përveç fushatës së tyre të mrekullueshme duke i takuar qytetarët, tashmë ka bërë një diferencë, e cila vetëm i shton ankthet palës tjetër dhe marrëzitë.
Dhe natyrisht që ne do të vazhdojmë ta thellojmë këtë diferencë, duke ruajtur këtë pozitivitet të jashtëzakonshëm të fushatës sonë, këtë transparencë të jashtëzakonshme të fushatës sonë dhe duke promovuar vlerat më të larta të qytetarisë dhe të bashkëpunimit me të gjithë qytetarët e lënë pas dore në bashkitë tona gjatë këtyre katër viteve," tha Meta.
Meta ishte dhe në një takim me banorët e njësisë Nr.5 në Tiranë.
"I lumtur të ndaja sot besimin tim me shtabin e Partisë së Lirisë në Njësinë Nr. 5, se më 14 Maj, lajm do të jetë Fitorja e Njësisë Nr. 5, sepse Fitorja e Tiranës është e padiskutuar për Belind Këlliçin dhe Koalicionin “Bashkë Fitojmë”.
Tirana e paduruar të ndëshkojë me votë mashtruesit dhe abuzuesit e G 99.
Më 15 Maj, Bashkia u kthehet qytetarëve dhe korrupsioni absolut i këtyre 4 viteve zëvendësohet me Transparencë dhe Llogaridhënie absolute," tha ai.


