Meta dhe Boçi në Elbasan: Do rimëkëmbim ekonominë familjare sipas modelit hungarez
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i shoqëruar nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Elbasan, Luçiano Boçi, deklaroi se për të rimëkëmbur ekonominë e familjeve shqiptare do të vënë në zbatim modelin hungarez.
Rritja e kostos së jetesës, niveli i lartë i varfërisë dhe i krimit në Elbasan ishin disa nga tematikat që kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, përmendi gjatë një tryeze për familjen, i shoqëruar dhe nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Luçiano Boçi.
Meta: Më shumë përpjekje duhet të bëhen për konsulta të ndryshme të psikologëve dhe shërbimeve të tjera që janë të mundshme. Besoj se së bashku do të bëjmë një kthesë të fortë sepse vetëm duke mbrojtur familjen do të arrijmë të mbrojmë atdheun dhe të kemi të ardhmen e këtij vendi të garantuar. Dhe e ardhmja e këtij vendi që është Shqipëria t’i përkasë të rinjve.
Kandidati, Luçiano Boçi, theksoi se në programin e tij fokusi do ti vihet ndihmës për familjet.
Boçi: Unë hapjen e fushatës e kam nisur me gratë pasi prania e tyre është moral në politikë. Në çdo politikë fokusi është familja, amësia është thelbi i saj, nëse ne duam të shohim sa e fort është një familje duhet parë roli i gruas në shoqëri.
Ky është takimi i dytë që Ilir Meta, i shoqëruar nga Luçiano Boçi zhvillojnë në qytetin e Elbasanit që prej regjistrimit të kandidatëve për zgjedhjet vendore.
Ndërkohë në 14 prill, pritet të nisë zyrtarisht edhe fushata elektorale e partive.