Masakra në Don Bosko, PD: Kryefajtorë të situatës jashtë kontrollit, Çuçi dhe Rama

Në nje dalje nga selia blu, zëdhënësja e Partisë Demokratike ka reaguar pas masakrës ne zonën e Don Boskos në Tiranë.

Sipas saj, masakra e Don Boskos është dëshmi tjetër e zbatimit të platformës së qeverisë të hanë kokat e njëri-tjetrit’, e cila do te thotë rendi dhe siguria janë në duart e banditëve dhe të vrasësve. 

Ajo bëri me dije se Partia Demokratike denoncon, si kryefajtorë të situatës të dalë jashtë kontrollit, ministrin Çuçi dhe shefin e tij, Edi Rama. 

Deklarata e Garos: 

Një atentat me 1 të vrarë e disa të plagosur, ka qenë bilanci i përplasjes së fundit mes bandave kriminale në lagjen Don Bosko në Tiranë. Në të vërtetë në rastin konkret, i breshërive të vrasësve me pagesë ndaj njerëzve të pafajshëm. Përtej lajmit të kronikës së zezë, që regjistroi një 58 vjeçare të vrarë, një grua pa asnjë lidhje me ngjarjen- përveç faktit se punonte në lokal për të mbajtur mbesën e vogël, ajo që mbetet, është pasiguria e qytetarëve, dhe lehtësia me të cilën operojnë kriminelët në Shqipëri.

Mbetet gjithashtu fakti se ngjarje të tilla dëshmojnë implikimin e organeve të drejtësisë me bandat e lidhura me qeverinë, të cilat me mbështetjen e saj, bëjnë ligjin në çdo skaj të vendit. Masakra e Don Boskos është dëshmi tjetër e zbatimit të platformës së qeverisë ‘të hanë kokat e njëri-tjetrit’, e cila do te thotë rendi dhe siguria janë në duart e banditëve dhe të vrasësve.

Kjo situatë e rënduar e sigurisë, dhe besimit të humbur tek policia, pasqyrohen në serialin e ngjarjeve të krimit dhe terrorit që përgjakën para dy ditësh Don Boskon, e që kanë përgjakur rrugët dhe lagjet e Shqipërisë muajt dhe vitet e fundit.

Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së viktimës dhe i uron shërim të shpejtë të plagosurve. Partia Demokratike denoncon, si kryefajtorë të situatës të dalë jashtë kontrollit, ministrin Çuçi dhe shefin e tij, Edi Rama. Politika e këtij të fundit mbi rendin dhe sigurinë përshkruhet me vetë fjalët e tij: hëngshin kokat e tyre!

Ne e dënojmë këtë filozofi si bashkëpunim de facto me krimin, si liçencë qeveritare për bandat dhe krimin, që të qëllojnë e të vrasin kë të duan dhe kur të duan. Sepse krimi nuk harron kurrë të hajë koka të tjera, siç ndodhi me 58 vjeçaren, e cila u vra në sy të mbesës 10 vjeçare, ndërkohë që punonte turnin e dytë të ditës, me të vetmin qëllim, mbijetesën.

Shqipëria nuk mund të jetë një vend që qeveriset nga krimi, sepse ajo meriton një qeveri që e godet krimin, që nuk bën pakte me të, dhe nuk e lë situatën e sigurisë në rënie të lirë. Shqiptarët kanë një atdhe dhe një familje, dhe i duhen krijuar kushtet të jetojnë të lirë dhe të sigurtë në vendin e tyre, rrethuar nga të afërmit e tyre.

EMISIONET