Mandati i kryebashkiakut të Kuçovës kthehet te Celibashi! KAS: KQZ të marrë vendim!
Mandati i kryebashkiakut të Kuçovës Kreshnik Hajdari kthehet sërish në duart e Komisionerit Ilirjan Celibashi. Më 21 maj ky i fundit, me një vendim të paprecedentë, hoqi dorë nga shqyrtimi i çështjes për shkarkimin duke pranuar kërkesën e avokatit të ish kandidatit të opozitës në Kuçovë, Lefter Maliqit.
Por këta të fundit ndërruan mendje dhe vunë në lëvizje Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve për të zhbërë vendimin e Celibashit.
Vendimin për të detyruar Celibashin të shqyrtojë në themel mandatin e Hajdarit dhe të marrë një vendim mbi të, KAS e mori unanimisht.
"Komisioneri ka detyrim ta shqyrtojë në themel kërkesën", tha Ilirjan Rusmajli, anëtar i KAS
Por, vetë Kreshnik Hajdari, i pranishëm në mbledhjen e KAS, tha se shqyrtimi në KQZ nuk ka objekt, përsa kohë SPAK e ka dënuar për fshehjen e dënimit në Greqi dhe dënimi tashmë është shlyer.
"Dënimi konsiderohet juridikisht I paqenë, rezultoj me statusin I padënuar", tha Hajdari.
Hajdari u dënua përfundimisht me vendim të formës së prerë në korrik të 2024 me 6 muaj burgim për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, i konvertuar në shërbim prove.
Kryebashkiaku nuk kishte deklaruar një dënim të marrë 23 qershor të vitit 1999 me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Janinës për hyrje në territorin grek pa leje, i konvertuar në masë riedukuese të “qortimit” për shkak të moshës, vetëm 17 vjeç. Ky mosdeklarimi në formular i ka kushtuar një betejë të gjatë politike me opozitën, e cila prej më shumë se 3 vitesh kërkon t’i hiqet mandati.


