Llatja: Ulëm taksat! Kryebashkiaku kërkon mandatin e dytë në Elbasan: Berisha dhe Meta, e shkuara!
Me mesazhin se Berisha e Meta janë e shkuara, Gledian Llatja ka kërkuar votat për një tjetër mandate në Elbasan. Në Bradashesh ai u shpreh se ka ulur taksat dhe ka ndihmuar shtresat në nevojë, ndërsa prezantoi dhe projektet në katër vitet e ardhshme.
Në një takim me banorët e fshatit Kusarth në Njësinë Administrative Bradashesh, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, u shpreh se në katër vite ka ndërmarrë një sërë reformash dhe politikash sociale për të ardhur në ndihmë shtresave në nevojë.
Duke kërkuar një mandate të dytë ai shtoi projektet që pritet të zhvillohen në të ardhmen.
Gledian Llatja: “Ishte problemi juaj kryesor që thoshit: Ore kryetar pse na taksohen ne fëmijët në Greqi, për emigrantët, po më vijnë taksat për çunin apo për gocën që janë në emigracion. Ju dëgjuam ju dhe ne e kemi hequr atë tarifë. Kemi ulur me 30% taksën e ndërtesës. Janë përjashtuar familjet që janë me ndihmë ekonomike, pensionistët e vetmuar dhe ato persona që nuk janë mirë ekonomikisht. Po vazhdojmë me të gjithë këto masa fiskale lehtësuese që kemi marrë për banorët”.
Sa i përket fushatës së opozitës ai shtoi se Berisha e Meta kërkojnë të marrin peng qytetin.
Gledian Llatja: “Do jetë shumë naiv kushdo në Elbasan që të mendojë se këto që premtojnë, dalin poshtë e lart e flasin e bëjnë, kanë hallin e Elbasanit apo zhvillimit ekonomik. Ato kanë vetëm një hall, hallin e Sali Berishës dhe Ilir Metës që thonë hajde tani marrim peng Shqipërinë. Po pse për këtë kemi nevojë ne? Ne duam qëndrueshmërinë, ne duam të vazhdojmë punën, ne duam zhvillimin. Pse do rrimë t’i hyjmë ne halleve tani? Hallet i kanë ata”.
Gjatë takimit, Llatja u fokusua në investimet në infrastrukturën e qytetit, si punë në rrugë dhe kanalizime, si dhe në turizëm.