Zgjedhjet e 14 majit, shefja e ODIHR dëgjon shqetësimet e Metës dhe Berishës, të mërkurën te Alibeaj
Shefja e misionit të vëzhguesve të ODIHR, Audrey Glover, u informua rreth situatës politike dhe zhvillimet e zgjedhjeve të 14 majit nga përfaqësuesit e opozitës.
Gjatë një takimi përreth një orë me Sali Berishën ky i fundit u shpreh se e ka informuar Glover rreth problematikave që po hasin gjatë fushatës.
Berisha: Ishte një takim në të cilin diskutuam gjerësisht mbi procesin zgjedhor, dhunimin në vlerësimin tonë, një nga një, të ligjit elektoral dhe të konventave ndërkombëtare për zgjedhjet e lira. E informova gjithashtu për puçin antikushtetues ndaj opozitës shqiptare, korrupsionin dhe bashkëpunimin e korrupsionit shqiptar ndërkombëtar për të lënë vendin pa opozitë, dështimin e turpshëm të këtyre përpjekjeve, vendosmërinë e PD për të çuar përpara procesin elektoral siç e ka shpallur para shqiptarëve.
Të njëjtën linjë mbajti dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta,i cili gjatë takimit me Glover akuzoi për shpërdorim flagrant të fondeve financiare publike.
Meta: Ndava me znj. Glover shqetësimin lidhur me listat e zgjedhësve dhe qëndrimet e Ministrisë së Brendshme dhe KQZ-së, të cilat kanë krijuar problematika lidhur me ndryshimin e qëllimshëm të tyre për të krijuar paqartësi tek zgjedhësit.Ndava me të shqetësimin për shpërdorimin flagrant të fondeve financiare publike, përdorimin e administratës publike dhe infrastrukturës e logjistikës shtetërore për fushatën e partisë në pushtet, duke dhunuar Kodin Zgjedhor dhe çdo ligj tjetër.
Të mërkurën Audrey Glover do të zhvillojë një takim me kryetarin e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajn, ndërsa ende nuk dihet nëse do të zhvillojë një takim me përfaqësues të mazhorancës.