LITUANIA MBËSHTET SHQIPËRINË/ Presidenti Nausėda vizitë zyrtare në Tiranë: Rruga juaj drejt BE
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, zhvilloi vizitën e parë zyrtare të një kreu shteti lituanez në Shqipëri. Në takimet me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama u konfirmua mbështetja për integrimin europian të Shqipërisë dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u prit nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe më pas nga kryeministri Edi Rama. Vizita shënon herën e parë që një president lituanez zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri dhe u përqendrua te marrëdhëniet dypalëshe, integrimi europian, siguria rajonale dhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s.
Gjatë takimit me homologun lituanez, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe theksoi se Shqipëria mbetet e vendosur në rrugën e reformave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Nga ana e tij, Presidenti Nausėda rikonfirmoi mbështetjen e Lituanisë për avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Në bisedimet mes dy delegacioneve u theksua se zgjerimi i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë një nga prioritetet e Presidencës lituaneze të Këshillit të Bashkimit Europian në gjashtëmujorin e parë të vitit 2027. Sipas palëve, Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit.
Dy presidentët diskutuan gjithashtu për zhvillimet e sigurisë në Europë dhe rajon, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit të NATO-s përballë sfidave aktuale. Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria mbetet një kontribuuese aktive në sigurinë rajonale dhe euroatlantike, si dhe një mbështetëse e vendosur e Ukrainës.
Më vonë, Presidenti Nausėda u prit në Kryeministri nga Edi Rama. Takimi u fokusua në forcimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes dy vendeve, si dhe në mbështetjen e Lituanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë vizitës u shpreh gjithashtu vullneti për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe për të krijuar mundësi të reja investimesh mes dy vendeve. Presidenti lituanez konfirmoi mbështetjen e vendit të tij edhe për organizimin nga Shqipëria të Samitit të NATO-s në vitin 2027.

