Mediu kërkon votat e të rinjve në Tropojë për Besnik Duzhën: Votë kundër varfërisë, shpopullimit dhe shkatërrimit të vendit nga Rama
Lista e kandidatëve të Partisë Republikane për anëtarë në këshillin Bashkiak të Tropojës kryesohet nga i riu, Arbios Kovacica.
Kryetari i PR-së së bashku me Arbiosin, anëtarët për këshilltarë të Partisë Republikane, deputetin Isuf Çelaj dhe kandidatin e opozitës për Tropojën Besnik Duzha e filluan takimin me të rinjtë e Tropojës me një vizitë tek busti i heroit të demokracisë, Azem Hajdari, prijësi i lëvizjes studentore kundër regjimit komunist.
Arbios dhe të rinjtë e tjerë shprehën angazhimin e tyre për të fituar bashkinë e Tropojës
Kandidati Besnik Duzha theksoi se kjo qeveri e urren Veriun dhe Tropojën.
“Duke e zhytur në papunësi dhe duke larguar nga puna sa erdhi në pushtet këdo që ishte tropojan. Asnjë investim nuk është bërë në Tropojë, ndërsa nën qeverisjen e së djathtës janë bërë investime të rëndësishme në infrastruktur”, u shpreh Duzha.
Deputeti Isuf Çelaj theksoj se bashkia e Tropojës do i kthehet Tropojës dhe të rinjve.
“Deri më sot, me këshillat bashkiak monist, bashkia ka qenë zgjatim i qeverisë, njësoj si ish-komitetet ekzekutive të komunizmit. Arritja e Ramës në Tropojë është varfëria dhe shpopullimi”, u shpreh ligjvënësi demokrat, Isuf Çelaj.
Në fjalën e tij kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu theksoi se ky është momenti i të rinjve në Tropojë dhe mbarë Shqipërinë.
“14 maji është dita për të marrë në dorë fatin tuaj. Qeveria po përdor çdo mjet për të na thyer dhe manipuliar, duke bërë presion, duke varfëruar e shpopulluar, duke luftuar kundër lirisë sonë.
Pa liri nuk ka jetë; pa besim nuk ka të ardhme; pa familje nuk ka komb; dhe këto vlera të jashtëzakonshme ne duhet t’i mbrojmë. Ata që na ka falë Zoti, ne nuk mund ta lëmë ta shkatërrojmë njerëzit e pushtetit.
Prandaj çdo votë republikane do jetë dhe votë për Besnik Duzhën. Të shkojmë tek çdo familje, tek çdo tropojan për të votuar në 14 Maj dhe për të fituar kundër varfërisë, shpopullimit dhe shkatërrimit të familjes dhe Shqipërisë”, theksoi Fatmir Mediu.