KQZ i propozon KAS-it gjobitjen e kryebashkiakut të Kukësit për aktivitet politik në shkolla, gjobë edhe drejtorëve
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi në seancën publike të së premtes kërkesat e ambasadave austriake, greke, hungareze, holandeze, franceze, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Moldavisë, të Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe të Institutit Demokratik të Kosovës, për vëzhgimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.
Komisioneri plotësoi vakancën e krijuar në Këshillin e Bashkisë Gjirokastër, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Klaudio Imeraj dhe vakancën e krijuar në Këshillin e Bashkisë Pogradec, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Kristi Alla.
Po dje, u dha autorizimi për ndryshimin e vendndodhjes së 22 qendrave të votimit, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.
U shpall vendimi për denoncimin nr. 335 ID, të Qendrës “Qëndresa Qytetare”, ndaj Bashkisë Kukës dhe Drejtorit të shkollës ”Isuf Seferi”.
Komisioneri vendosi t’i propozojë KAS vendosjen e sanksionit administrativ për Kryetarin e Bashkisë Kukës në masën 10 000 lekë dhe Drejtorin e Shkollës 9-vjeçare “Isuf Seferi” në masën 2 500 lekë.
Gjithashtu, vendosi pushimin e hetimit administrativ ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe personit përgjegjës për raportimin e veprimtarive publike në bashkinë Kukës për moskonstatim të shkeljes së pretenduar.
U shpall vendimi për denoncimin nr. 336 ID, të Qendrës “Qendresa Qytetare”, ndaj Bashkisë Kukës dhe Drejtorit të shkollës ”Shaban Murati”.
Komisioneri vendosi t’i propozojë KAS vendosjen e sanksionit administrative për Kryetarin e Bashkisë Kukës në masën 10 000 lekë dhe drejtorin e Shkollës 9-vjeçare “Shaban Murati” masën 2 500 lekë.
Gjithashtu, vendosi pushimin e hetimit administrativ ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe personit përgjegjës për raportimin e veprimtarive publike në bashkinë Kukës për moskonstatim të shkeljes së pretenduar.
Në këtë seancë u shpall vendimi edhe për denoncimin nr. 337 ID, të Qendrës “Qëndresa Qytetare”, ndaj Këshillit të Ministrave. Komisioneri vendosi pushimin e procedimit administrativ për Këshillin e Ministrave për moskonstatim të shkeljes së pretenduar.
Për periudhën e monitorimit 14 Prill – 27 Prill 2023, u shqyrtuan denoncimet nr. 342 ID, 343 ID, 344 ID, 345 ID, 346 ID të Deputetit zj. Albana Vokshi, denoncimet nr. 347 ID, 348 ID, 349 ID, 350 ID, 351 ID të Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, denoncimi nr. 354 ID i Monitoruesit, denoncimet nr. 355 ID, 356, 360 ID, 361 ID, 362 ID, 363 ID të z. Ivi Kaso, denoncimet nr. 357 ID dhe 358 ID, të “Koalicionit Bashkë Fitojmë”, që lidhen me këtë periudhë monitorimi.
Denoncimet me nr. 357 ID, 358 ID, të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shtynë për t’u shqyrtuar në seancën e ardhshme.
Në këtë seancë u shqyrtua edhe denoncimi nr. 349 ID dhe në përfundim të shqyrtimit Komisioneri vendosi konstatimin e shkeljes dhe t’i propozojë KAS vendosjen e sanksionit administrativ në masën 3 000 lekë për kryetarët e bashkive Belsh, Bulqizë, Cërrik, Elbasan, Fier, Gramsh, Kavajë, Këlcyrë, Kolonjë, Konispol, Kukës, Lezhë, Librazhd, Lushnjë, Mallakastër, Poliçan, Përrenjas, Pustec, Roskovec, Shijak.
Ndërkohë vendosi pushimin e procedimit administrativ për kryetarin e bashkisë Vorë.