"14 Maji", KQZ miraton udhëzuesin e punës së KZAZ dhe GNV
Në mbledhjen e së premtes, Komisioni Rregullator miratoi udhëzuesit e punës për Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe Grupet e Numerimit te Votave për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore.
Udhëzuesi ka për qëllim të detajojë detyrat dhe mënyrën e funksionimit të KZAZ-së dhe të anëtarëve të Grupit të Numërimit të Votave gjatë procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve për Zonën e Administrimit Zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore.
Ky udhëzues iu vjen në ndihmë edhe trajnerëve të administratës zgjedhore për zhvillimin e trajnimeve për grupet e numërimit të votave.
Janë parashikuar veprimet paraprake të KZAZ për fillimin e procesit të numërimit të votave, ndërsa procesi i numërimit të votave qartësohet sipas ndarjeve në pika duke filluar nga vendimi që KZAZ merr për fillimin e procesit të numërimit të votave, veprimet paraprake të GNV, hapja e kutisë së votimit me fletët e votimit, numërimi i fletëve të votimit, vlerësimi i tyre, vlerësimi i votës, kontestimi dhe rivlerësimi i votës.
Udhëzuesi sqaron rrethanat që cojnë në hapjen e kutisë së materialeve të votimit dhe veprimet që kryen GNV me kutinë e materialeve të votimit në rastin kur procesverbali për mbylljen e votimit nuk gjendet në kutinë e materialeve të votimit apo veprimet që GNV kryen kur ky procesverbal gjendet në këtë kuti.
Një proces tjetër i trajtuar përgjatë udhëzuesit është ai që lidhet me nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve nga GNV në qendrën e votimit.
Gjithashtu në të trajtohet edhe plotësimi i tabelës së rezultateve dhe dërgimi i tyre në KQZ. Udhëzimi sqaron edhe administrimin e votave të hedhura gabim dhe numërimin e tyre.
Në udhëzues flitet edhe për tabelën përmbledhëse të rezultateve për kryetarin e bashkisë dhe për këshillin e bashkisë si dhe sqarohet edhe dërgimi i materialeve zgjedhore nga KZAZ në KQZ.