Konferenca në Ankara, Rama batuta me Erdoganin: Do doja të vinim bast që të viheshit në sedër, por…

Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Kryeministri Edi Rama po viziton Turqinë për takimin e Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë mes dy qeverive.

Kreu i qeverisë Edi Rama ka mbajtur një konferencë të përbashkët me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve.

Ai ka falënderuar Turqinë për ndërtimin e spitalit të Fierit, ndihmën pas tërmetit si dhe gjatë pandemisë.

Rama nuk i kurseu batutat kur tha se pret që të rriten investimet turke në vendin tonë si dhe volumi tregtar, duke thënë se mirë do ishte të ‘vinte një bast’ për t’i vënë në sedër që të realizohen më shpejt, por shtoi se ‘në Turqi bastet janë të ndaluara’.

“E mbaj mend që u kam thënë bast nuk vë dot, por ju keni bastin me shqiptarët që fjalën tuaj e dinë ‘u tha, u bë’ dhe ai spitali ishte besoj investimi i parë publik në botë me 3 mln supervizorë ditë për ditë.

Edhe ju e fituat bastin me shqiptarët. Unë dua t’ju falënderoj edhe publikisht për mikpritjen dhe dua të them se sa herë që flitet për marrëdhënien me Turqinë në këtë nivel, Shqiptarët, Shqipëria, Kosova nuk harrojnë dot tre gjëra që mbeten në kujtesën tonë sot e nesër.

E para falë jush Kosova u njoh, së dyti për tërmetin që goditi vendin tonë… dhe e treta kur Shqipëria u ndjen si peshku pa ujë kur bota u godit nga pandemia.

Mezi pres të finalizohet projekti për të sjellë universitetin teknik të Stambollit në Tiranë. Jam i sigurt që ministri juaj i turizmit do të nisë investimet në vendin tonë, sepse Turqia ka krijuar një nivel ekselence dhe për ne investimet turke janë të mirëseardhura.

Kemi arritur në shifrën e 3.7 mld eurove, por potencialet janë për shumë më tepër.

Volumin tregtar duam ta ngremë mbi 1 miliard euro, edhe këtu do ishte mirë t’ju propozoja një bast që ju të viheshit në sedër, por bastet në Turqi vazhdojnë të jenë të ndaluara. Faleminderit për lejet e drejtimit që i miratuat për shqiptarët. Na i miratuat pas Gjermanisë por e mirëkuptojmë vonesën.

Nder të dëgjoja opinionin e presidentit për rajonin dhe në zonat e konfliktit që kanë trazuar botën. E kam gjetur të interesuar për ecurinë e rajonit tonë, dialogut me Kosovës dhe Serbisë dhe dëshirën e tij që progresi dhe paqja në rajon të jenë çdo ditë më të forta”, tha Rama ndër të tjera.

MARREVESHJET

Në prani të Presidentit turk, Erdogan dhe Kryeministrit Rama, u firmosën sot 6 marrëveshje dhe memorandume në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë

Kështu, u firmos memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve -Klimatike të Republikës së Turqisë për bashkëpunim ne fushën e mjedisit.

Po ashtu, u firmos  Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve të Republikës së Turqisë për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura.

Palët nënshkruan marrëveshjen ndërmjet KM të RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë mbi statusin e zyrës së koordinimit të programit TIKA Tirana.

Po, ashtu u nënshkrua marrëveshje kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë si dhe Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë në Fushat e Medias dhe Komunikimit për komunikimin dhe informimin publik.

U firmos edhe Protokoll Bashkëpunimi midis Korporatës Turke të Radio Televizionit dhe Radio Televizionit Shqiptar.

Konferenca në Ankara, Rama batuta me Erdoganin: Do doja të vinim bast

EMISIONET