Koncerti i Kanye West, Rama: 4 mln euro në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për financimin me 4 milionë euro të koncertit të Kanye West, duke u mbrojtur me propagandën për promovimin e Shqipërisë dhe zhvillimin ekonomik.
Sipas Ramës, fondi u miratua në minutën e fundit për të shmangur anulimin e koncertit, i cili pritet të ndiqet nga rreth 25 mijë vizitorë nga 80 shtete. Ai argumenton se eventi do të shërbejë për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe do të ketë ndikim të rëndësishëm në ekonomi.
Kryeministri deklaroi se qeveria parashikon të ardhura prej të paktën 100 milionë eurosh nga organizimi i koncertit, duke përmendur si tregues rritjen e rezervimeve në platformat e akomodimit për fundjavën e eventit. Ai e krahasoi ndikimin ekonomik të pritshëm me finalen e UEFA Conference League, e cila, sipas tij, gjeneroi rreth 160 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare.
Rama hodhi poshtë akuzat se fondet e përdorura për koncertin cenojnë financimin e sektorit të shëndetësisë apo të kategorive në nevojë.
“4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West;
për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë Turistike, për një nga komunitetet më të mëdha të botës, dashamirët e muzikës; për të stimuluar ekonominë, e cila sa për një shembull, sipas UEFA-s, pati një hyrje prej 160 milionë eurosh nga Finalja e Conference League-s, ndërkohë që nga ky koncert - në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve - ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura. Mjafton të shihet shpërthimi i rezervimeve në booking.com për të premten, të shtunën e të dielën, për të krijuar një ide të përfitimit direkt ekonomik për familjet, biznesin dhe arkën e bashkisë e të shtetit, nga rritja e konsumit, pa llogaritur këtu fare përfitimin e shtrirë në kohë.
Tani sorrat dhe korbat e kanaleve sociale, janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, e duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”, siç e quajnë djallëzisht.
Por mjerë ky popull e mjerë çdo i sëmurë, po të mbeteshin në kthetrat e këtyre zabrahanëve digjitalë, të mbështetur me këtë rast nga duart e armiqve e dashakëqinjve të Shqipërisë, të cilët lëshojnë papushim helm në kanalet sociale përmes dhjetëra mijëra profilesh fallco, duke përfituar nga etja për pushtet dhe kokëboshësia e uzurpatorëve të protestës qytetare.
U kujtoj të tërëve se vetëm pak ditë më parë, ne nxorrëm 15 milionë Euro plus vetëm për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore; dyfishuam mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar dhe mbështetëm kujdestarët e tyre; dyfishuam mbështetjen për fëmijët me aftësi të veçanta; dyfishuam financimin e Start Up-eve; dyfishuam garancinë sovrane për programin dyfisho biznesin tënd; financuam një paketë të tërë ekstra për zhvillimin urban e rural, mbrojtjen dhe të gjitha këto e të tjera akoma ishin në Aktin Normativ të fundqershorit, ku qershia mbi tortë ishte padyshim bonusi i pensionistëve.
Tani çfarë duan sorrat dhe korbat që e privatizuan djallëzisht protestën qytetare të flamingove, duke i detyruar të shtegtojnë larg bulevardit?
Duan të ndalin dhe kthejnë mbrapa Shqipërinë! Me dhunën e arbitraritetit, të sharjeve, të shpifjeve, të akuzave dhe kërcënimeve për këdo që mendon ndryshe prej tyre! Ta harrojnë! Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsht”, shkruan Rama.


