Komisioni i Reformës Zgjedhore/ Albana Vokshi pyet SPAK për patronazhistët, Braho: Nuk ka vepër penale ta ndëshkojë
Me debate të forta është shoqëruar seanca e Komisionit për Reformën Zgjedhore, ku ishte i pranishëm në seancën dëgjimore është kreu i SPAK, Klodian Braho.
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ngriti akuza të forta për krimet zgjedhore dhe përdorimin e sistemit të patronazhimit, duke pyetur drejtuesin e SPAK nëse institucioni ka hetuar këtë çështje.
Vokshi tha se opozita ka depozituar disa kallëzime të detajuara që prej vitit 2023, si edhe kallëzime të tjera gjatë vitit 2025, por sipas saj nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Prokuroria e Posaçme.
Deputetja demokrate pyeti kreun e SPAK nëse është hetuar AKSHI dhe çështja e listave të patronazhistëve.
Gjatë fjalës së saj, Vokshi u përplas edhe me bashkëkryetarin e komisionit, Damian Gjiknuri, duke i thënë: “Mos ma hiq fjalën mua ti. Nxehu sa të duash. Ti vetë e ke keqpërdorur sistemin dhe je i pari në listë. Ne jemi të spiunuar nga patronazhistët.”.
“Kemi dorëzuar disa kallëzime të detajuara në 2023-in. Në 2025 kam dorëzuar disa kallëzime në SPAK dhe në Prokurorinë e Tiranës. Në SPAK kam dorëzuar kallëzim për Manastirliut, dhe disa të tjerëve. Tek libri që kemi botuar dhe jua kemi dërguar, kemi evidentuar mbi 2500 shkelje, krime zgjedhore. Ua kemi dorëzuar me kopje. Deri më sot nuk kemi asnjë fjalë, asnjë reagim nga ju. Kur doli lista e pastronazhistëve, ku jeni dhe ju të patronazhuar, pra si familjet e tjera shqiptare, a është hetuar AKSHI? A keni hetuar për çështjen e patronazhistëve? Kemi dorëzuar dhe kallëzim për Belinda Ballukun, se si përmes patronazhistëve shantazhon për votën. Kam lexuar sms rrëqethëse, se si merreshin me forcë njerëz të sëmurë mendor, apo dhe në prag të vdekjes, apo me pampers. Ju keni përdorur të dhëna personale, ti i pari si drejtues. (I kthehet Gjiknurit). S’ma heq dot fjalën mua ti, nxehu sa të duash. Ti vetë e ke keqpërdorur sistemin dhe të gjithë ju përballë, ndaj ju vjen keq. Ne jemi të spiunuar të patronazhuar.”, tha ajo.
Klodian Braho: Në dispozitat e Kodit Penal, nuk ka një vepër penale që të ndëshkojë penalisht patronazhimin, dhe aq më tepër kjo vepër penale të jetë kompetencë e SPAK. SPAK ka dy vepra penale në kompetencë, korrupsion aktiv në zgjedhje dhe korrupsion pasiv në zgjedhje. Nëse një person tjetër ka nxjerrë të dhëna personale të publikut apo edhe tonë, është një vepër tjetër penale që nuk është kompetencë e SPAK, por e prokurorive të juridiksionit të zakonshëm. Cështja nëse në këtë veprimtari mund të jenë përfshirë persona që janë kompetencë e SPAK, duhet parë rast pas rasti. Nuk është as vendi dhe as seanca dhe është detyrim im ligjor që të mos diskutoj për çështje të veçanta. Por në prill të këtij viti, ju kemi informuar për secilin rast që keni kallëzuar vendimmarrjet që ka marrë prokuroria.


