Beqa: Çështja e Zvërnecit është më shumë operacion politik sesa zhvillimor

Lëvizjet ambientaliste në Shqipëri kanë një histori të gjatë qëndrese, por zhvillimet e fundit rreth Zvërnecit po nxjerrin në dritë një skemë të mirëmenduar politike që shkon shumë përtej një projekti të thjeshtë zhvillimor.

I ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", ishte politologu Mentor Beqa, i cili u shpreh se pavarësisht përpjekjeve ndër vite për të kooptuar aktivistët dhe për të heshtur zërat kundër, qytetarët kanë dëshmuar se rezistenca për natyrën nuk vdes, siç u pa qartë me nismën e suksesshme "Save Vjosa" apo me protestat e hershme për mbrojtjen e Parkut të Liqenit Artificial.

Sipas tij sot, beteja ka kaluar në Zvërnec. Po vihet re një përpjekje e qartë dhe e organizuar nga ana e qeverisë për të mjegulluar të vërtetën dhe për të dekurajuar pjesëmarrjen qytetare. Përmes shpërndarjes së tezave të rreme dhe dezinformimit të vazhdueshëm, synohet të mbillet dyshimi mbi motivet e vërteta të atyre që dalin në shesh. Ky është një mekanizëm i njohur për të shfokusuar vëmendjen nga thelbi i problemit tek vetë protesta, duke krijuar një narrativë që step qytetarët të ngrenë zërin.

" Nuk është se këtu nuk ka patur protesta me karakter ambientalist. Ka patur gjithmonë dhe në mënyrë të veçantë deri në vitin 2013.

Ju mbani mend çfarë protestash bëheshin për zgjerimin e rrugës së Elbasanit, se ishte hyrë në zonën e mbrojtur tek Liqeni apo jo.

Protestat kanë qenë të vazhdueshme. Ka patur një tulatje sepse ardhja në pushtet e Rama kooptoi një pjesë të mirë të atyre që ishin pjesë e këtyre lëvizjeve dhe pastaj e rimori veten lëvizja dhe kemi Save Vjosa, që ishte një prej lëvizjeve më të bukura që ka ndodhur në Shqipëri. Ka patur gjithmonë, pra është krejtësisht e pavërtetë ajo.

Dhe vijmë edhe te rasti i Zvërnecit. Çështja është duhen ndarë protesta, e cila ka dimensione shumë më të mëdhaja se sa vetë fenomeni Zvërnec, e cila ka karakter politik, social e kështu me radhë, dhe vetë çështja për të cilën ne flasim. Dhe besoj nuk duhet shfokusuar nga debati publik, sepse është shumë e rëndësishme të diskutohet edhe mbi vetë Zvërnecin, jo vetëm mbi protestën që është by-product, pra që është produkt i kësaj gjëje.

Dhe besoj që edhe qytetarët duhet të jenë, sepse ka patur një përpjekje për ta mjegulluar të gjithë diskursin publik. Dhe natyrisht që është në interesin e qeverisë për të krijuar një narrativë e cila dekurajon qytetarët për të dalë në protestë, dhe janë shpërndarë lloj-lloj tezash, lloj-lloj gënjeshtrash, dhe një gënjeshtër prodhon një gënjeshtër tjetër.

Dhe shumë njerëzve ju lindin të natyrshme edhe dyshimet mbi natyrën e kësaj proteste, mbi motivet e protestës, mbi ato që qëndrojnë mbrapa protestës. Por detyra në fakt e medias është që të bëjë një transparencë mbi vetë çështjen e Zvërnecit, ku unë besoj që qeveria ka problemin themelor. Sepse çështja e Zvërnecit, më shumë sesa një operacion zhvillimor, është një operacion politik nga ana e kryeministrit. 

Dhe kjo nuk vjen në mënyrë të beftë, po vjen mbas një shtrati përgatitor disavjeçar. Dhe kemi ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, ku i jep Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të drejtën për të ndërhyrë dhe për të përcaktuar se si mund të zhvillohet brenda zonave të mbrojtura.

Çka më përpara nuk e kishte këtë të drejtë. Dhe kjo pastaj ka krijuar këtë hapësirën për të bërë këtë që është bërë, dhe kemi Butrintin dhe tani kemi Zvërnecin, dhe nuk është vetëm pjesa e izoluar e Zvërnecit por është e gjithë hapësira. Dhe besoj që një fokus duhet të mbetet tek çështja e Zvërnecit.

Dhe pastaj kalojmë tek protesta që është dimensioni i dytë dhe që ka filluar të marrë dimensione konkrete politike me kërkesa konkrete politike", u shpreh Beqa.

Ndiqni emisionin i plotë:

EMISIONET