Karabina për 14 majin: Rama në hall! Veliaj mbjell pemë para fushate kur çdo ditë na përplas betonin në sy
Pedagogia Mirela Karabina e ftuar në "Drejt" thotë se kjo fushatë i gjen aktorët politikë ndryshe nga çdo fushatë tjetër.
Me një opozitë të fortë, thotë ajo, qeveria do të kishte rënë me kohë dhe Erion Veliaj nuk do të ishte më në krye të bashkisë së Tiranës.
Karabina: Kryeministri është në hall. Është përmendur 14 herë në një hetim të SHBA. Është në një pozicion si asnjëherë në gjithë karrierën e tij kaq të gjatë politike. Kjo hyrje në fushatë e këtillë mund të interpretohet shumë por e sigurt është se kjo qeveri dhe kjo bashki (e Tiranës) nuk punojnë për qytetarët. Qeveria duhet të kishte rënë me kohë dhe kjo bashki nuk duhet të qëndrojë më. Qëndrojnë aty se opozita nuk është në pozicionin që të jetë alternativa qeverisëse.
Nëse PD do të ishte sot një parti e madhe Erion Veliaj nuk do të kishte qenë kryetar i bashkisë së Tiranës. Ai do të mbahet mend për shumë të këqia që i ka bërë qytetit, ka zhdukur kulturën, historinë dhe identitetin e qytetit. Ka shembur teatrin e kombit në qendër të Tiranës dhe shumë monumente të tjera. Këtu pastrohen para, 1.6 mld euro. Duhet të jetë i turpëruar dhe jo të tallet aty me rininë. E ka bërë Tiranë qytetin më të ndoturin, më të pabanueshmin. Mbjellin pemë në fillim fushate ndërkohë që çdo ditë na e përplas betonin para syve. Është një fasadë.