Ismailaj do kandidojë, KAS: Dënimi i marrë nuk është pjesë e dekriminalizimit
Qerim Ismailaj nuk do të ndalohet të kandidojë në emër të PS në Mallakastër. KAS ka rrëzuar pretendimet e Partisë Demokratike, duke argumentuar se dënimi që ai ka marrë nga gjykata nuk është parashikuar në ligjin e dekriminalizimit.
Kandidati i Partisë Socialiste në Mallakastër kaloi dhe provën e KAS.
Komisioni vendosi ti lejojë Qerim Ismailajt përfshirjen në garën zgjedhore të 14 maji, duke mos i gjetur shkelje pretendimet e Partisë Demokratike.
"KAS me shumicë votash vendosi rrëzimin e ankimit të PD-së."
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Indrit Sefa, në argumentet e tij u shpreh se Ismailaj kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim nga GJKKO që iu konvertua me 40 orë pune për shërbim publik.
"Përveç faktit se e ka relatuar në vendin e gabuar në formular, përsëri ka deklaruar një të dhënë të rreme. Nuk deklaron periudhën e dënuar me burgim por deklaron vetëm masën e dënimit 40 orë punë në komunitet."
Nga ana e mazhorancës, përfaqësuesi ligjor i PS, Eridjan Salianji, tha se shkelja e pretenduar nuk është kusht për ndalimin e kandidimit.
"Kjo është një vepër që të quan të padënuar."
Partia Demokratike do ta dërgojë çështjen e kandidimit të Qerim Ismailajt në Kolegjin Zgjedhor ku edhe pritet të merret në shqyrtim.
Ndërsa në prokurori janë dërguar 29 emra për tu verifikuar nëse kanë qenë të dënuar, mes tyre 9 janë kandidatë për kryetar.