Zgjedhjet e 14 majit, Escobar takon Metën e Alibeajn
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar zhvilloi takime me kryetarët e partive opozitare, Enkelejd Alibeaj dhe Ilir Meta. Partneriteti Shqipëri-SHBA dhe zgjedhjet e 14 majit ishin temat kryesore që u diskutuan gjatë takimit.
Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendosmëria e opozitës për ti dhënë fund atë ç’ka cilësojnë si “monizëm” në vend ishin disa nga temat kryesore që kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta zhvilloi me të dërguarin e posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.
"Ju ftoj të gjithëve në stadium".
Ky ishte komenti i Metës pas takimit me Escobar, por përmes një postimi në facebook ai dha më tepër detaje.
“Theksova se zgjedhet e 14 Majit janë një ditë e madhe e ndryshimit për të gjithë shqiptarët, që do t’i japi fund monizmit në pushtetin vendor dhe do të rikthejë demokracinë, transaprencën dhe Llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit. Nënvizova vendosmërinë e PL për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti dhe aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA.”
I dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor bisedoi për rreth një orë edhe me kryetarin e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajn, i cili u shoqërua nga deputetët e tij mbështetës.
Gjatë takimit, Alibeaj evidentoi shkeljet që sipas tij po bën qeveria me rekomandimet e ODHIR, lidhur me shitblerjen e votës. Temë e diskutimeve ishin dhe zhvillimet në PD.
"I bëra me dije shkeljen që po ndodh aktualisht nga qeveria të rekomandimeve te ODHIR, lidhur me shitblerjen e votës, përdorimin në fushatë te administratës publike, përdorimi i të dhënave personale dhe buxhetit të shtetit në funksion të zgjedhjeve e sidomos lidhur me pastërtinë e figurës së kandidatëve. Temë e bisedës ishin dhe zhvillimet në Partinë Demokratike, dinamikat e muajve të fundit dhe qëndrimi konstant për çështjen e personave non grata jo vetëm në PD, por në të gjithë spektrin e politikës shqiptare".
Vetëm 2 ditë përpara çeljes zyrtare të fushatës për zgjedhjet vendore në Shqipëri, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, i shoqëruar nga ambasadorja Yuri Kim, u takua me disa nga përfaqësuesit e partive politike dhe presidentin e vendit, duke lënë jashtë axhendës së tij, Sali Berishën.