Glover në PS, financimi i partive, “shqetëson” misionin e OSBE/ODIHR para 14 majit

Selia e Partisë Socialiste, ishte ndalesa e radhës e shefes së OSBE-ODHIR Audrey Glover në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Ajo u prit në selinë rozë nga sekretari i Përgjithshëmi kësaj partie, Damian Gjiknuri. Më herët Glover është takuar me presidentin Begaj, kryeministrin Rama dhe përfaqësuesit e partive opozitare, përfshirë ish-kryeministrin Berisha.

Listat, financimet e partive,  vendimet e KQZ dhe media ishin ndër shqetësimet e kryevëzhgueses së misionit të OSBE-ODIHR, Audrey Glover, të cilat i ngriti në selinë e Partisë Socialiste në pushtet, siç konfirmoi sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri pas takimit.

Në vazhdimësi palët politike janë përfshirë në akuza ndaj njëra-tjetrës për kandidatët, por dekriminalizimi është një çështje që Glover nuk e ngriti në selinë rozë.

"Nuk e preku këtë temë dhe kjo temë është nën shqyrtim të organeve ligjore shqiptare, ligji është në veprim. Palët ankohen, organet japin vendimet e tyre".

Theksoi se fushata deri tani ka qenë e qetë dhe ambasadorja Glover nuk paraqiti ndonjë shqetësim.

"Nuk paraqitën ndonjë shqetësim. Fushata ka qenë e qetë përgjithësisht. Patëm pyetje në lidhje me vendimmarrjen e KQZ, listën e zgjedhësve. Por lista e zgjedhësve është metodologji e dakordësuar nga KQZ, e bërë nga KQZ me dakordësine e gjithë palëve politike për të mos u ndarë familjet dhe për ti patur zgjedhësit në një godinë".

Kryetari i Grupimit të Rikthemelimit të PD në Vaun e Dejës u sulmua me tritol, ndërsa një kandidat për anëtar të këshillit bashkiak u vra në Lezhë gjatë fushatës për 14 majin.

Për Gjiknurin fakti që viktimat kanë qenë të përfshira në politikë, nuk i bën ngjarjet të motivuara politikisht.

"Nuk e di që këto të jenë të motivuara politikisht apo të kenë lidhje me politikën. Do të ishte spekulim që ti vinim etiketime politike ngjarjeve kriminale. Shpresojmë që ngjarjet të zbardhen edhe për të hequr çdo spekulim të kësaj natyre".

Një koment Gjiknuri e kishte dhe për takimin e Glover me Sali Berishën, por edhe për koalicionin e demokratit me Ilir Metën.

"Ata duhet të krenohen me emrin e Ilir Metës në fletën e votimit, nuk e di pse mërziten ata të Foltores".

zgjedhjet e 14 majit fushata zgjedhore audrey glover

EMISIONET