Fushatë në regjim shtrati/ Rama lë spitalin pas operimit, por kurimin do e vijojë nga shtëpia
24 orë pas ndërhyrjes kirurgjikale në apendesit, kryeministri Edi Rama ka lënë ambientet e spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë dhe mësohet se është dërguar për në banesën e tij për të vijuar trajtimin mjekësor pranë familjes.
Burime jo zyrtare bëjnë me dije se kreu i qeverisë ka lënë ambientet e QSUT-së në në orët e para të mëngjesit të sotëm, konkretisht rreth orës 06:00, por pa dhënë më tepër detaje.
Edhe në ambientet e spitalit nuk ka prani të forcave të Gardës, apo sigurim të shtuar nga ana e Policisë së Shtetit çka konfirmon dhe largimin e tij.
Operacioni i djeshëm
Kryeministri Edi Rama u paraqit në QSUT mbrëmjen e së dielës duke zbardhur e hëna, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas problemeve të shfaqura me apandesitin.
Zyrtarisht u bë e ditur se kreu i Qeverisë është paraqitur në urgjencën e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” pas mesnatës së të dielës, dhe pas vizitës është vendosur për operimin e tij.
Ka qenë shefi i Shërbimit të Kirurgjisë, mjeku Arben Gjata që ka realizuar ndërhyrjen që mësohet se ka zgjatur një orë dhe nisi prej orës 4 e 30 të mëngjesit të kësaj të hëne.
Ndërhyrja është realizuar përmes metodës së laparoskopisë.
Në deklaratën për mediat është bërë e ditur se Rama është në gjëndje shëndetësore të mirë.
Problemi shëndetësor e ka gjetur kreun e qeverisë njëkohësisht dhe kryesocialistin Edi Rama në nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit.
Tashmë edhe për shkak të detyrimit nga mjekët për pak ditë ai do të duhet të ndjekë zhvillimet në regjim shtrati për t’u rikthyer sërisht në takimet me mbështetësit në kuadër të fushatës elektorale për garën e 14 majit.