"Fraksioni nuk do të regjistrohet…", Kaziaj: Basha ka pasion për tulipanët, duhet të jetë në Holandë
Sonte në mesnatë skadon afati që KQZ i ka lënë PD zyrtare për plotësimin e dokumentacionit për tu regjistruar në zgjedhjet e 14 majit.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë së Lirisë, Altin Kaziaj, në një intervistë për Rtv Ora dyshon se kjo do të ndodhë.
"Ngërçi më i madh është ai i copëzimit që po bëhet me vullnet nga ana e një grupimi të vogël në PD, një fraksion.Ka një pasion për tulipanët dhe duhet të jetë diku nga zona e Holandës. Brenda afatit të KQZ duhet të ketë vullnetin për të nënshkruar atë deklaratë, gjë që unë dyshoj".
Ai nënvizon se sigla, ermri i partisë dhe kryetari janë të rëndësishme dhe përbëjnë elementët për regjistrimin ose jo nga KQZ për zgjedhjet.
Ai vlerëson se dëmi që grupi i Alibeajt po i bën PD dhe opozitës është shumë i madh.
"Dëmi është shumë i madh, qytetarët po presin ndryshimin. Vendi po zhbëhet nga rinia, po emigrojnë si të ishin në Afrikë".
E ndërsa janë atakuar në vijimësi prej tyre, Kaziaj thotë se është Partia e Lirisë që nuk bashkëpunon me fraksione.
"Partia e Lirisë nuk bashkëpunon me fraksione. PL bashkëpunon me persona që PO-në e kanë PO dhe JO-në e kanë JO. Në bindjen time fraksioni nuk do të regjistrohet. Nuk parashikon ligji të presim deri sa ti mbushet mendja zotërisë të vijë vetëm me biletë ardhje nga Holanda".