Berisha-Alibeaj, përballje në KAS për 14 majin, dy grupimet dorëzojnë ankim në shkallën e dytë

Grupimet e Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt dorëzuan ankim në KAS ndaj vendimit të KQZ-së që refuzoi regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhje. Ankimi u regjistrua edhe pse kryekomisioneri Ilirjan Celibashi kujtoi se ishte në pritje të afatit prej 48-orësh që i kishte lënë grupit të Alibeajt për plotësimin e dokumentacionit.

Lulzim Basha nuk u shfaq të firmoste si kryetar i Partisë Demokratike as përballë rrezikut për ta lënë forcën politike që drejtoi për 9 vite jashtë zgjedhjeve lokale të 14 Majit.

E shtuna ishte afati i fundit që KQZ i kishte lënë grupit të Alibeajt për plotësimin e dokumentacionit, por pak orë para skadimit të afatit, Indrit Sefa, përfaqësuesi ligjor tha se nuk do të dorëzohet asnjë shkresë shtesë.

Për Celibashin kishte një thirrje.

“Kërkoj t’i bëj thirrje publikut Komisionerit. Të marrë vendim sa më shpejt, PD e ka bërë të qartë se PD nuk depoziton asnjë akt shtesë. Dokumentacioni i plotë dhe i ligjshëm. Të marrë vendim sa më shpejt dhe pa humbur. E lusim të marrë një vendim sa më shpejt. Argumentet politike të Komisionerit nuk mund të ngrihen në këtë godinë. Kush e ka qëllim të bëjë politikë në këtë godinë nuk e ka vendin këtu. Komisioneri të japë një vendimmarrje tani”, tha Indrit Sefa.

Tha se nëse PD nuk regjistrohet, çështja do të përfundojë në KAS, Komisionin e Ankimimeve e Sanksioneve.

Ankimimi i parlajmëruar nga Sefa u bë zyrtar pasditen e të shtunës me publikimin e dokumentit nga KQZ.

Aty grupi i Alibeajt i drejtohet KAS-it me kërkesën për prishtjen e vendimit të Celibashit dhe detyrimin e tij për ta regjistruar PD-në në zgjedhjet e 14 majit me dokumentacionin e paraqitur, pa shtuar letra të tjera.

Grupi i Alibeajt thekson ndër të tjera se autorizimi i dhënë nga Lulzim Basha në 2022 ka vlerë dhe nuk mund të merret një i ri pasi ai nuk është më kryetar.

Krahas grupit të Alibeajt, çështjen në KAS e ka dërguar edhe grupi i Sali Berishës.

Më herët kryekomisioneri, Ilirjan Celibashi, përsëriti qëndrimin se dokumentacioni është i mangët pa firmën e Bashës mbi deklaratën që kërkon Kodi Zgjedhor se nuk do të kryejë krime zgjedhore.

Sqaroi se vendimi për regjistrimin ose jo të PD do të merret pasi të përfundojë ligjërisht afati prej 48 orësh.

Por ndërsa ende s'ka një vendim për Partinë, KQZ ka regjistruar anëtarët e KZAZ-ve nga Partia Demokratike për zgjedhjet e 14 Majit.

Kryekomisioneri sqaron se vendimet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

EMISIONET