FOTO/ Rama në Athinë "mbledh" qeverinë Mitsotakis, çel ekspozitën “Improvisations”
Kryeministri Edi Rama ka çelur pasditen e kësaj të hëne në Athinë ekspozitën e tij të titulluar “Improvisations”. Ai është shoqëruar në këtë aktivitet nga bashkëshortja, Linda dhe djali i vogël, Zaho.
Ekspozita e kryeministrit Edi Rama u hap në “Zapion Megaro” në Athinë. Ekspozita përmban piktura të kryeministrit Rama të realizuara gjatë punës së tij të përditshme përfshirë edhe në fleta dokumentesh.
Sipas informacioneve, janë 33 punime të krijuara që prej vitit 2015 dhe 15 punime të vitit 2023. Veç pikturave, në ekspozitë ka edhe disa punime qeramike.
Με τον @PrimeministerGR Κυριάκο Μητσοτάκη και τον @ediramaal, στα Εγκαίνια της Έκθεσης του Πρωθυπουργού της Αλβανίας με τίτλο «Improvisations», όπου παρουσιάζονται έργα μεικτής τεχνικής και γλυπτά. pic.twitter.com/OMI5Q8ZsG5
— Nikos Dendias (@NikosDendias) March 20, 2023
Ekspozita u inaugurua prej ministrit të jashtëm grek Nikos Dendias, i cili e vlerësoi Edi Ramën si artist, por edhe si politikan. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis mbërriti në ekspozitë mbas çeljes së saj për shkak të agjendës tepër të ngarkuar.
Vizita e Ramës vijon me një darkë pune me kryeministrin Kyryakos Mitsotakis në selinë qeveritare “Maksim”, ku delegacionet e dy vendeve do të kenë bisedime dypalëshe lidhur me temat e hapura në marrëdhëniet dypalëshe.
Duket se pala shqiptare i jep një rëndësi të veçantë diplomacisë ekonomike, ndaj dhe zoti Rama ka marrë në delegacion ministren e Financave, Delina Ibrahimaj, ndërsa të martën do të mbahet edhe forumi ekonomik ku do jenë të përfaqësuara kompani të mëdha që veprojnë në të dyja vendet.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias ka publikuar disa foto nga ekspozita e kryeministrit Edi Rama, e hapur në shtetin fqinj. Në pamjet e publikuara, kreu i qeverisë, i cili ndodhet në një vizitë dyditore në Athinë, shihet ndërsa i prezanton punët e tij homologut grek Kyriakos Mitsotakis.