Fitoi shumicën e bashkive, Rama: Ndihem shumë i vogël përballë hartës së ngjyrosur, do shkoj sa më shpejt në Shkodër

Rezultati në Shkodër dhe jo vetëm, për kryeministrin Rama, përkthehet në një sfidë të madhe për të mos zhgënjyer ata që i vetëbesuan. Në lidhje me bashkinë e Himarës, ai deklaroi se për fatin e Fredi Belerit do të jetë Gjykata që do të vendosë, por sa i përket deklarave që vijnë nga Greqia, Rama i lidhi me zgjedhjet që do të zhvillohen këtë të dielë atje.

Vota e e së dielës, duket se ishte një surprizë edhe për vetë kryeministrin Edi Rama, i cili në daljen e parë pas 14 majit ka bërë me dije se do të nisë një tur falenderimesh duke filluar nga Shkodra, për të cilën theksoi se tashmë është sfidë për qeverinë e tij.

“Kjo është një fitore shumë e madhe për t’u festuar. Vetë ndihem shumë i vogël përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve tanë nga Tropoja në Konispol. Kam dhe besoj kemi të gjithë nevojë të ruhemi nga era e fortë dehëse e një fitoreje si kjo.

E kam të nevojshme të shkoj sa më shpejt në Shkodër për të nisur nga qyteti më i bekur nga zoti dhe më i keqtrajtuar nga robi, një tur falënderimi në të gjithë Shqipërinë. Nuk dua ta harrojë askush se këto ishin zgjedhje vendore, patjetër me dimension politik të imponuar nga hijet e sëshkuarës që tentuan ta tërhiqnin këtë vend mbrapa dhe i shikon këto zgjedhje si aksion revolucionar si përmbysje ndaj qeverisë”, tha Rama.

Një dështim të KQZ e ka cilësuar kryeministri Rama procesin e votimit për mijëra qytetarë për shkak të bllokimit të sistemit të identifikimit elektronik, e kjo duket se do të jetë një tjetër sfidë për të.

Deklaratat zyrtare dhe jo zyrtare që kanë ardhur nga Greqia për arrestimin e Fredi Belerit, kryeministri Edi Rama i vlerësoi se janë për shkak të zgjedhjeve atje, e se po pret pikërisht përfundimin e tyre para se të reagojë personalisht ndaj tyre.

Sipas tij, procesi zgjedhor në Himarë u zhvillua pa asnjë incident dhe nëse do të drejtohet apo jo nga Fredi Beleri, atë do ta vendosë Gjykata nëse do ta shpallë fajtor apo jo për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

EMISIONET