Ferit Hoxha në Nikozia: Shqipëria dhe Qipro forcojnë bashkëpunimin në rrugën drejt BE-së

Ferit Hoxha në Nikozia: Shqipëria dhe Qipro forcojnë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një vizitë zyrtare në Nikozia të Qipros, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve dhe bashkëpunimit në procesin e integrimit europian.

Vizita zhvillohet në një moment të rëndësishëm, që përkon me 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Qipros, si dhe me përmbylljen e Presidencës Qipriote të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Hoxha u prit fillimisht nga Presidenti i Republikës së Qipros, Nikos Christodoulides, në një takim ku u diskutua zgjerimi i bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët dhe avancimi i agjendës evropiane.

Gjatë takimeve, ministri shqiptar vlerësoi rolin e Qipros gjatë Presidencës së BE-së dhe mbështetjen e saj për procesin e zgjerimit, duke e konsideruar si një kontribut të rëndësishëm në forcimin e një Bashkimi Evropian më të qëndrueshëm dhe strategjikisht të bashkuar.

Në fokus të bisedimeve me Ministrin e Jashtëm qipriot, Costantinos Kombos, ishte edhe perspektiva evropiane e Shqipërisë, përfshirë ecurinë e procesit të vlerësimit të standardeve dhe mbështetjen për integrimin në BE.

Hoxha e cilësoi anëtarësimin në Bashkimin Evropian si objektiv strategjik të Shqipërisë, që lidhet me konsolidimin demokratik, modernizimin institucional dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Dy palët u dakordësuan për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, duke përfshirë tregtinë, investimet, turizmin dhe arsimin, si dhe sektorë të tjerë me interes të ndërsjellë.

Në deklarimet për media, u nënvizua edhe rëndësia e hapjes së një linje direkte ajrore Tiranë–Nikozia, që do të lehtësonte lëvizjen e qytetarëve dhe do të riste bashkëpunimin mes dy vendeve.

Në një tjetër pjesë të vizitës, Hoxha trajtoi edhe çështjen e Kosovës, duke e lidhur njohjen e saj nga vendet e mbetura evropiane me stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Ai u prit gjithashtu nga Presidentja e Dhomës së Përfaqësuesve, Annita Demetriou, me të cilën u diskutua roli i parlamenteve në procesin e integrimit evropian dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

EMISIONET