E vërteta e gjykatave, KLGJ: Si po ndahen dosjet dhe pse godinat aktuale janë në rrezik! Pas rivlerësimit do ndryshohet metodologjia e vlerësimit

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka bërë publike së fundmi të dhëna thelbësore mbi gjendjen e sistemit të drejtësisë, duke nxjerrë në pah një seri reformash, lëvizjesh me dosjet gjyqësore, por edhe një alarm serioz për infrastrukturën ku ndahet drejtësia sot.

Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, jatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u shqyrtua projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025”, Rusi theksoi se në qendër të vëmendjes mbetet skanimi i performancës së gjyqtarëve. Përmes një procesi të rreptë, qindra magjistratë po kalojnë në filtrat e vlerësimit.

Sipas shifrave të raportuara, nga viti 2021 e deri më sot, janë miratuar qindra vlerësime, ndërsa procesi po përshpejtohet me përcaktimin e afateve standarde dhe shtimin e stafit përgjegjës.

Ky skanim pritet të vazhdojë, por KLGJ ka bërë të qartë se metodologjia e vlerësimit do të rishikohet vetëm pas përfundimit të rivlerësimit të trupës aktuale në proces promovimi, për të mos cënuar sigurinë juridike.

Një nga lajmet më të rëndësishme për qytetarët që presin në dyert e gjykatave është shpërndarja e dosjeve.

Për t’i dhënë fund pabarazive dhe dyshimeve për ndërhyrje, tashmë zbatohet një rregullore strikte për ndarjen e çështjeve përmes shortit elektronik.

Kjo masë garanton që ngarkesa e punës mes gjyqtarëve të jetë e balancuar, duke ndarë çështjet me të njëjtën vjetërsi dhe kategori në mënyrë të barabartë. Roli i kancelarit dhe organizimi i brendshëm i gjykatës janë vënë nën filtra të rinj për të shmangur çdo praktikë arbitrare.

Transparenca është shtrirë edhe te lëvizjet e vetë gjyqtarëve. Çdo vend vakant, transferim i përkohshëm apo komandim tani po bëhet publik në faqen zyrtare të institucionit. Kjo iniciativë synon të rikthejë meritokracinë dhe të zhdukë hije dyshimi mbi emërimet në prapaskenë.

Megjithatë, përtej reformave në letër dhe digjitalizimit të shortit, drejtësia përballet me një pengesë fizike tepër të rrezikshme. KLGJ ka theksuar si emergjencë absolute gjendjen e godinave të gjykatave në të gjithë vendin.

Ndërtesat aktuale janë konsideruar të papërshtatshme, pasi nuk plotësojnë as kushtet minimale për hapësira pune, organizim dhe mbi të gjitha, për sigurinë e trupës gjyqësore dhe qytetarëve. Apeli për të ndërtuar godina të reja është kthyer në një domosdoshmëri që kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të ekzekutivit.

PJESË NGA RAPORTIMI I KLGJ

Për sa i përket ndryshimeve të mundshme në metodologjinë e vlerësimit, Këshilli i Lartë Gjyqësor angazhohet në rishikimin e saj pasi të ketë përfunduar procesi i rivlerësimit për të gjithë trupën gjyqësore në proces promovimi.

Rishikimi para këtij momenti do të cënonte sigurinë juridike në proceset dhe standardet e vendosura në lidhje me trajtimin e magjistratëve. Për vitin 2025 Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar 59 vlerësime për 50 gjyqtarë, ndërkohë që nga fillimi i këtij procesi, nga viti 2021 e deri më tani, janë miratuar 249 vlerësime për 154 gjyqtarë.

Është rritur numri i nëpunësve përgjegjës për vlerësimin për të bërë të mundur përshpejtimin e proceseve të vlerësimit. Janë përcaktuar afate standarde minimale kohore përkatëse.

Ndërsa për sa i përket gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar 13 vlerësime për 13 gjyqtarë, ndërkohë që nga fillimi i këtij procesi deri më sot janë vlerësuar 262 vlerësime përkatësisht për 161 gjyqtarë.

Për sa i përket rekomandimeve për forcimin e masave për rritjen e integritetit gjyqësor duke përfshirë programet e trajnimit mbi etikën, konfliktin e interesit dhe komunikimin publik, përgjatë vitit 2025, programet e trajnimit mbi etikën, konfliktin e interesit dhe komunikimin publik janë pjesë integrale e programit të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës dhe për çdo vit akademik ofrohen sesione të dedikuara trajnimi për këto fusha.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, bazuar në planin strategjik dhe rregulloren për formimin profesional në punë të civilëve gjyqësorë, ka miratuar modulet sipas fushave përkatëse, ku përfshihen modulet e etikës dhe komunikimit efektiv.

Ndërkohë vijon puna për realizimin e procedurave dhe hapave që do të ndiqen për zbatimin e programit të formimit fillestar dhe atij vazhdues për nëpunësit civilë gjyqësorë. Ndërsa për sa i përket vitit 2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me vendimin numër 71 datë 12.02.2026, ka miratuar planin strategjik 2026-2027 për trajnimin fillestar dhe vazhdues të nëpunësve civilë gjyqësorë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shpallur një njoftim për shprehje interesi për trajnerë, ekspertë dhe lehtësues në programet e formimit fillestar dhe vazhdues të nëpunësve civilë gjyqësorë për vitet 2026-2027, në të cilin përfshihet edhe moduli i çështjeve të etikës dhe konfliktit të interesit.

Referuar rekomandimit numër 6 për ndarjen e balancuar të ngarkesës së punës ndërmjet gjykatave dhe gjyqtarëve, në mënyrë që të garantohet efikasiteti dhe barazia në trajtimin e çështjeve, përgjatë vitit 2025 Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar vendimin numër 554 datë 29.12.2022 për ndarjen me short të çështjeve gjyqësore dhe vendimin numër 724 të vitit 2023.

Bazuar në këto akte të mëparshme, kryetari i gjykatës merr masa për organizimin e ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit elektronik, ndërsa kancelari i gjykatës i atribuohet një rol kyç në procesin e shortimit, i cili në përfundim nënshkruan kalimin e praktikës të regjistrimit të çështjeve.

Çështjet gjyqësore u ndahen në mënyrë të barabartë gjyqtarëve sipas organizimit të brendshëm të gjykatës. Ndërsa rindarja realizohet me qëllim që ngarkesa e punës për gjyqtarët e caktuar të jetë e balancuar dhe të përfshijë çështje të së njëjtës vjetërsi sipas kohës së regjistrimit dhe kategorive të ndryshme.

Referuar rekomandimit numër 7 për të përmirësuar bashkëpunimin ndërinstitucional me Shkollën e Magjistraturës dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë për të harmonizuar proceset e emërimit, trajnimit dhe vlerësimit të magjistratëve, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me vendimin numër 110 datë 16.09.2025, ka miratuar rregulloren për mbledhjet e përbashkëta dhe bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, intensifikimin e mbledhjeve të përbashkëta mes këshillave, duke zhvilluar tre të tilla, udhërrëfyesin për efikasitetin e pushtetit gjyqësor, i cili i ka kushtuar një rëndësi të veçantë nevojës së bashkëpunimit ndërinstitucional, duke parashikuar në të objektiva strategjike të cilat realizohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Shkollën e Magjistraturës dhe institucione të tjera të sistemit të drejtësisë.

Referuar vitit 2026, në kuadër të ndjekjes dhe zbatimit të objektivave të udhërrëfyesit për efikasitetin e pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ngritur një sërë grupesh pune të cilat kanë si objekt të veprimtarisë së tyre hartimin e akteve përkatëse në funksion të përmbushjes së këtyre objektivave dhe që kanë në përbërje përfaqësues nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Shkolla e Magjistraturës.

Grupi i punës për hartimin e udhërrëfyesit për arsyetimin e vendimeve në përputhje me udhëzimet e KEDNJ, dhe grupi i punës për hartimin e propozimeve për ndryshime ligjore.

Është realizuar procesi i verifikimit të kritereve ligjore të kandidatëve për ndihmës ligjor, si atyre për gjyqtar, për në provimin e pranimit. Raportimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor me komentet dhe kundërshtimet në lidhje me rezultatet e vlerësimit paraprak të kandidatëve për gjyqtar i është përcjellë Shkollës së Magjistraturës.

Referuar rekomandimit numër 8 për të rritur transparencën në proceset e komandimeve dhe emërimeve të përkohshme, duke siguruar respektimin e parimit të meritokracisë dhe shmangien e praktikave arbitrare, përgjatë vitit 2025 Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar me vendimin numër 770 datë 22.10.2025 rregulloren për transparencën e përmirësimin e procesit vendimmarrës të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Këshilli i Lartë Gjyqësor shpall dhe publikon në faqen zyrtare vendet vakante në sistemin gjyqësor, në të njëjtën mënyrë bëhen publike edhe pozicionet pranë institucioneve të sistemit të drejtësisë për komandimin e magjistratëve dhe për transferimet e përkohshme me pëlqim.

Referuar rekomandimit numër 9 për të intensifikuar masat për përmirësimin e infrastrukturës së gjykatave dhe kushteve të punës së gjyqtarëve dhe veçanërisht sigurinë në të gjitha gjykatat e vendit, duke përmirësuar bashkëpunimin ndërinstitucional me Kuvendin dhe institucionet e ekzekutivit përmes Ministrisë së Drejtësisë, përgjatë vitit 2025 Këshilli i Lartë Gjyqësor ka evidentuar nevojën urgjente për godina të reja gjykatash, pasi ndërtesat aktuale nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për hapësira pune, organizim dhe siguri.

EMISIONET