"Dy apartamente dhe dy garazhe" - Berisha s'i ndalon akuzat: Ja si mashtroi Irena me 5 mbiemra
Kreu i PD-së, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat pas daljes së tij nga SPAK-u, ku zbatoi masën e sigurisë detyrim me paraqitje ka hedhur akuza ndaj gjyqtares Irena Gjoka.
Sipas Berishës, Irena Gjoka ka një apartament në Fier dhe një në Tiranë, si dhe dy garazhe të cilat nuk i ka deklaruar gjatë procesit të vetingut.
“Kthehemi aty ku është turpi i turpit të sistemit të drejtësisë. Dëgjoni tani për Irenën me 5 mbiemra. Irena me 5 mbiemra, i ndjeri komisioner Dariel Sina, e kishte kapur në krime të shëmtuara gjatë deklarimit të pasurive.
Irena me 5 mbiemra nuk ka deklaruar apartamentin me sipërfaqe 63.65 metër katrorë në Fier. Apartament banimi, sipërfaqe 2 plus 1.
Kjo fshehje pasurie është justifikuar nga Irena me 5 mbiemra dhe ka fituar, natyrisht se është shoqe e ngushtë e Lindës së Surrelit dhe disa personave të tjerë me pushtet. Ka qenë një këshilltare besnike e Ergys Agasit.
Pra, Irena me 5 mbiemra, kur është kapur mat me mashtrimin, ka thënë e harrova, e kisha harruar.
Mos harroni se për një garsionere i kanë nxjerrë gjykatësit, i kanë flakur në rrugë, jo se e kanë harruar, por se e kanë deklaruar se e kanë dhuratë nga i ati i vet. Por Irena nuk është vetëm kaq. Jo.

Irena që mbrohet nga llumi i llumit të këtij sistemi, apartamentin tjetër në Tiranë me sipërfaqe 66 metër, të cilin thotë njëherë se e bleva me 10 mijë euro, dhe pastaj këtë çmim e rrit në 22 mijë euro.
Ku i more paratë, i thonë, kam harruar thotë. Reale kjo. Nuk ka treguar burimin e parave që ua ka marrë ryshfet klientëve të saj. Kjo është gjykatësja. Dhe prandaj Dariel Sina, këtë e përjashtonte nga sistemi.
Por së fundmi nuk mbaron këtu. Irena me 5 mbiemra, ka fshehur dy garazhe në Tiranë. Nuk i ka deklaruar në procesin e vlerësimit të vetingut.
Pra, vetëm me këto, Irena me 5 mbiemra meriton disa vite burg për fshehjen e pasurive të paligjshme. Ajo mbahet si monumenti më i shëmtuar i sistemit që përfaqëson”, tha Berisha.


