Bumi turistik i këtij viti, Rama: Presim të arrijmë 10 milionë turistë
Kryeministri Edi Rama në një takim për bilancet e sezonit turistik veror 2023 deklaroi sot se do ta kthejmë Shqipërinë e vitit 2030 në një vend kampion të turizmit në rajonin tonë.
Në takim ishin të pranishëm edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, zv/kryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministri i Brendshëm Taulant Balla si dhe kryetarët e bashkive, operatorë të turizmit e përfaqësues të tjerë të sektorit.
Kryeministri Rama u shpreh se “ky takim është hapja e një procesi diskutimi që ne do ta vazhdojmë me të gjitha grupet e përfshira në përpjekjen e përbashkët për ta kthyer Shqipërinë e vitit 2030 në një vend kampion të turizmit në rajonin tonë, sepse gjithçka kemi dëshmuar në këtë sezon është rezultat i një pune këmbëngulëse e një përpjekje të madhe, i një numri të konsiderueshëm faktorësh , por nga ana tjetër është një arritje, e cila në asnjë mënyrë nuk duhet të na bëjë që të ndihemi sikur e kemi arritur vërtet, është vetëm një stacion në një rrugë e cila është ende e përpjetë”.
“Bumi turistik i këtij vit përtej të gjithë efekteve të jashtëzakonshëm pozitivë na vuri përpara edhe sfida të mprehta që ne duhet të fillojmë t’i adresojmë menjëherë. Duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm, të gjithë nivelet e qeverisjes, por edhe sektori i sipërmarrjes në turizëm se rreziku që gjithë ky nam i madh dhe i mirë kudo në botë i këtij viti të kthehet në bumerang në vitin në vijim apo dy tre vitet që vijnë është real”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se “shtatori është mbyllur me 1.1 milionë vizitorëve të huaj, që është një shifër shumë më e lartë se ajo e shtatorit të kaluar. Deri në fundin e gushtit kemi arritur mbi 7 milionë turistë nëse tetori e nëntori do ruajnë trendin e dhjetorit do jetë po ashtu një muaj surprizues pozitivisht. Me këtë trend ne mund të arrijmë edhe 10 milionë turistë këtë vit. Me siguri ne këtë vit do ta prekim tavanin e 9 milionë turistëve të huaj”.