Blushi: Përpjekje kriminale për t’i hequr Ilir Metës edhe lirinë e fjalës. Dënohet me 10 ditë se dha intervistë për gazetarët

Partia e Lirisë ka reaguar ashpër ndaj procesit zgjedhor të 11 majit dhe ndaj vendimit për zgjatjen e hetimeve ndaj kreut të saj, Ilir Meta.

Në një deklaratë për mediat, Tedi Blushi tha kjo forcë politike e ka cilësuar datën 11 maj si ditën që 'vërtetoi standardet kriminale dhe mafioze të procesit elektoral', duke akuzuar qeverinë për rrëmbimin e paligjshëm të Metës dhe për përdorimin e strukturave shtetërore në funksion të manipulimit të zgjedhjeve.

Ndër të tjera, Partia e Lirisë denoncon si represion politik edhe masën disiplinore të marrë ndaj Metës në IEPV “Jordan Misja”, pas një interviste live të dhënë për mediat. 

DEKLARATA E BLUSHIT

11 Maji vërtetoi totalisht se standardet kriminale dhe mafioze të procesit elektoral u paravendosën me rrëmbimin terrorist të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe u konkretizuan në mënyrë të neveritshme në Vorë në ditën e zgjedhjeve me marrjen peng të qendrave të votimit nga banditët elektoralë të të gjitha llojeve.

Task Forca mashtruese e SPAK e ngritur gjoja për parandalimin e krimeve zgjedhore, me faktet e përditshme rezulton jo vetëm një strukturë e ngritur posaçërisht për të goditur opozitën, por edhe përgjegjëse direkte dhe e inkriminuar me veprimet dhe mosveprimet e saj me qëllimin e vetëm për inkurajimin dhe amnistimin e masakrës elektorale që ndodhi më 11 Maj.

“Treni bullgar”, shit-blerja e votave, presionet për bukën e gojës, përdorimi i bandave dhe kriminelëve elektorale, parave të pista të trafiqeve dhe drogës, keqpërdorimi i administratës publike dhe aseteve shtetërore janë fakte që akuzojnë Edi Ramën dhe Altin Dumanin si autorin dhe avokatin e terrorizmit elektoral.

Në vend të urdhëronte arrestimin e banditëve në Vorë që para gjithë mediave vizive live dhe gazetarëve kërcënuan botërisht ditën e zgjedhjeve drejtuesit e opozitës, Altin Dumani me urdhër të Edi Ramës vijon të mbajë në izolim ekstrem prej 8 muajsh, me zero fakte dhe prova penale, në shkelje flagrante të ligjit, Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, liderin e forcës së dytë opozitare në vend dhe partisë së tretë politike në vend prej dy dekadash.

Zgjatja mafioze e afatit të hetimeve për Presidentin Meta, në mungesë totale të provave që kurrë nuk do të gjenden sepse nuk ekzistojnë, është një akt tërësisht politik, që është urdhëruar publikisht në Asamblenë e Partisë Socialiste nga Edi Rama më 7 maj të vitit 2022, që e dënojmë me forcën më të madhe.

Në 32 vite shërbim publik kurrë nuk ka dhe nuk do të mund të gjendet një akt, një provë, dokument, vendim apo veprim i paligjshëm i Presidentit Meta.

Masa e arrestit do të ankimohet edhe në Gjykatën Kushtetuese, për të shterruar dhe ezauruar të gjitha procedurat e brendshme në mënyrë që kjo çështje të mbërrijë sa më shpejt në Strasburg.

Partia e Lirisë dënon gjithashtu me forcë edhe përpjekjen kriminale të Narkoregjimit, që pasi i kufizoi lirinë e lëvizjes duke e izoluar padrejtësisht, në mënyrë krejtësisht qesharake po tenton t’i heqë Presidentit Meta edhe të lirinë dhe të drejtën e fjalës për të komunikuar me gazetarët.

Rasti me qesharak, ndodhi sot kur Komisioni Disiplinor i IEPV “Jordan Misja” dënoi Presidentin Meta me 10 ditë për të mos ushtruar aktivitete sportive në ambientet e paraburgimit vetëm pse pak ditë më parë realizoi live një intervistë me gazetaren Beti Njuma.

Këto praktika sa qesharake, po aq të neveritshme dhe represive, dëshmojnë fytyrën e vërtetë dhe degradimin e Narkoregjimit, që me ndihmën e SPAK po bëjnë çdo përpjekje për të goditur dhe izoluar liderët e opozitës.

Presidenti Meta në krye të Partisë së Lirisë po drejton me vendosmëri dhe efiçiencë të plotë politike aktivitetin dhe qendrimet e saj politike, me gjithe kushtet e izolimit ai gëzon shëndet të plotë dhe garanton të gjithë gazetarët e pavarur se asnjë masë represioni apo kufizimi e imponuar nga Narkoregjimi nuk do të mund t’i ndalojë atij kurre lirinë e fjalës dhe të drejtën për të komunikuar me mediat e pavarura.

Rrëmbimi terrorist i tij i urdhëruar nga Edi Rama me firmat e prokurorëve të Ramaformës, që vazhdojnë ta mbajnë në izolim ekstrem, pikërisht për të trafikuar mandatet mes njëri-tjetrit për pushtet të përjetshëm, si edhe për të asgjësuar opozitarizmin dhe llogaridhënien në Shqipëri shumë shpejt do të marrë përgjigjen e merituar ligjore.

Partia e Lirisë është totalisht në krah të Presidentit te saj Meta në këtë betejë parimore për liri, demokraci, llogaridhënie, transparencë, drejtësi të vërtetë dhe shtet ligjor në Shqipëri dhe më e vendosur në mbrojtje të kauzave të saj madhore, për të çmontuar këtë axhendë kriminale, sorosiste dhe mafioze për pengmarrjen e plotë të vendit nga Narkoregjimi.

EMISIONET