Berisha: Shkollës ‘Sami Frashëri’ në Tiranë ju vendos dinamiti vetëm për të vjedhur
Sali Berisha akuzoi nga Korça qeverinë Rama se ka futur vjedhjen në sistem.
Akuzat nuk munguan dhe ndaj kryebashkiakut të Tiranës, ku solli në vëmendje se gjimnazi "Sami Frashëri" u shemb vetëm për të vjedhur.
Berisha: Por ky është vetëm njëri plan, le të marrim planin tjetër. Ç’po ndodh me shqiptarët në këto 8 vite. Shqiptarët këto 8 vite po varfërohen dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. Shqiptarët në këto 8 vite, për shkak të inflacionit marrin një rrogë të paktën 30% me më pak vlerë se në vitin 2013. Në vitin 2013 ju e dini, ne dolëm në krye të rajonit për rroga e pensione dhe u them unë ju, se ajo ka qenë arritja e jetës tonë. Po të kemi parasysh, që gjithnjë më të varfrit, më të varfrit, dolëm njëherë, dolëm me rroga e pensione dhe kjo ishte një arritje historike.
Dolëm nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta. Në 1992 të ardhurat tona ishin 204 dollarë për frymë në vit. Të tilla të ardhura kishin veç ugandezët dhe angolezët. Arritëm në vitin 2008 të vendosemi në grupin e kombeve me të ardhura të mesme, të larta. Ballëlartë, sepse asnjë komb nuk bëri me kaq shpejtësi një rrugë të tillë drejt rimëkëmbjes, prosperitetit sa bëmë ne, me mundin dhe djersën tonë.
Sot ku jemi? Edhe atëherë nuk ishim të pasur, përsëri kishte varfëri, por kishte varfëri në pakësim, varfëri në zvogëlim, e cila nuk shuante shpresën e shqiptarëve për një shpresë më të mirë, prandaj filluan të vijnë, filluan të vijnë, dhjetëra mijëra, qindra mijëra emigrantë. Popullata në Shqipëri po rritej nga viti në vit.
Çfarë ndodhi në këto 8 vite? Në këto 8 vite ne marrim rroga më të ulëta në rajon, marrim rroga më të ulëta se në Kosovë, e cila ka histori 15 vjeçare pavarësie, e cila ka një buxhet dy herë më të vogël se Shqipëria. Nuk po them Mali i Zi. Po pse? Unë u them ju se vitet që dyfishuam rrogat, pensionet, ju jeni dëshmitarë, në të 4 anët e vendit u ndërtuam mbi 11 mijë km rrugë. Qindra e qindra kilometra në të gjitha fshatrat e Korçës në një kohë kur pak muaj më parë kryetari i qarkut raportonte se në 8 vite u ndërtuan 54 km rrugë fshati në këtë qark.
U ndërtuan 1300 shkolla, kopshte, u ndërtuan qindra qendra shëndetësore, rreth 700 sisteme kanalizime dhe ujërash. Pse po i them këto? Po i them se paratë u përdorën pavarësisht nga këto u ekonomizuan në mënyrë të atillë që të rrisnim e dyfishonim rrogat dhe pensionet.
Por gjatë këtyre 8 viteve, çdo kryeministër, ua them këtu unë ju, po të kishte ndjenjë më të vogël të respektit për mundin, djersën për familjet dhe qytetarët shqiptarë, kishte çdo potencial që ti rriste së paku 3 herë rrogat krahasuar me 2013.
Ku e bazoj unë këtë? Unë ua them ju; ne dyfishuam rrogat e pensionet dhe ndërtuam ato që ju thashë e më tepër, duke rritur borxhin gjithsej 4.4 %. E gjetëm 58.2 dhe arritëm në 62.6.
Buxheti i shtetit është i njëjtë me të familjes; ato që krijon, i planifikon, kur stë dalin për disa qëllime merr një borxh që e kthen më vonë. Çfarë bëri Edi Rama? E rriti borxhin 43 %, e rriti borxhin 10 herë më shumë seç e rritëm ne. Borxhi është 107 %. Ku shkuan, u kthyen në rroga, pensione, infrastrukturë? Jo, asgjë, u kthyen në një farë mënyre në një mallkim për shqiptarët se ata duke u varfëruar çdo ditë e më shumë, morën rrugët e dheut si kurrë në historinë e tyre.
Por si i mori ky këtu, çfarë ndodhi? Shumë thjeshtë, në çdo punë publike shpenzon 6-8 herë mbi koston dhe kjo është e vërtetë. Kjo është 100% e vërtetë. Në të gjithë Europën një autostradë në fushë ndërtohet me 2-3 mln euro kilometri. Në Shqipëri ndërtohet me 24 mln euro kilometri. Shkoni në territorin, Kakavijë-Janinë, autostrada e standardeve më të mëdha ndërkombëtare ndërtohet me 4 mln euro. Rrugët anësore nga Lekajt e Kavajës në Fier, ndërtohen me 7 mln euro. Vidhet në mënyrën më të papërmbajtur, më të shfrenuar.
Shkollat! I vihet dinamiti shkollës ‘Sami Frashëri’ në Tiranë, absolutisht vetëm për të vjedhur. Shkolla në manualet e ndërtimit në Europë dhe SHBA kushton 600-700 mijë dollarë. Shkolla ‘Sami Frashëri’ ka kushtuar 7 mln euro. shkolla të tjera po kështu.
Ju shumë mirë, shumë drejt mund të shtroni pyetjen, si vidhet, ku vidhet? Këta vjedhin me çdo punë publike, vjedhin e vjedhin dhe rrogat nuk i rrisin. A është koha tani ti themi stop, çfarë do që jemi, demokratë, socialistë, pa parti. Prandaj këto zgjedhje janë jetike, këto zgjedhje duhet të ndajnë Shqipërinë nga një regjim që sot është i pashembullt në Europë, i cili po i largon shqiptarët nga Shqipëria, duke i varfëruar ata me pamëshirësinë më të madhe. Ne duhet të qëndrojmë, ndaj dhe thirrja ime është për të gjithë korçarët, për të gjithë shqiptarët, nuk janë vetëm zgjedhje lokale, por janë zgjedhje për fatet e Shqipërisë.