Berisha: Edhe DASH-i e tha se 237 mln dollarë të djegësave janë zhdukur në xhepat e Edi Ramës
Nga Selenica ku prezantoi kandidatin e koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë" për kryetar bashkie, Leonard Rakipaj, kryetari i PD, Sali Berisha foli për abuzimet e qeverisë.
"Së pari, ju jeni njerëz politikë, ju burra e gra, keni një jetë të tërë në politikë, dhe përgjigja e parë është kjo; sot njëlloj si në vitin 1991 jemi në monizëm të plotë. Sot Edi Rama kontrollon 10% më shumë pushtete se Ramiz Aliaj në 1991. Sot ne gratë dhe burrat që njohëm diktaturën komuniste, formën më të egër të komunizmit në Europë, e dimë se çfarë fatkeqësie kombëtare është monizmi. E dimë se monizmi, prodhon dhunim, shtypje, varfëri, tjetërsim. Dhe ky është monizmi i ri që ne përjetojmë.
Ky monizëm nuk bazohet në doktrinën marksiste-leliniste në të cilën kundërshtari ishte armik për tu burgosur, për tu ekzekutuar, për tu internuar. Ky monizëm bazohet në krimin dhe terrorin e tij. Lidhjet e krimit gjer tek Edi Rama dhe ministrat e tij. Çfarë u duhet krimi këtyre do të pyesni ju; krimi u duhet vetëm për pushtetin. Edhe në diktaturë, kishte ligje, ligjet e diktaturës e ndalonin torturën, ligjet e diktaturës kishin dhe ato përcaktimet për kohën e mbajtjes në paraburgim dhe burg. Por në diktaturë ekzistonin hetues xhelatë, ekzistonin njerëz mizorë, që përdorin të gjitha mjetet e dhunës kundër kundërshtarëve politikë.
Udhëheqja e kohës e dinte se ata po shkelmonin ligje, por ata ishin më të preferuarit e saj sepse ata ushtronin ndaj kundërshtarin politik, atë që ligji nuk e lejonte. Nuk e lejonte ligji të internonte fëmijë, kurse këta xhelatë merrnin fëmijë e pleq dhe i internonin në Tepelenë, Kavajë, etj., dhe në këtë mënyrë ata bëheshin njerëzit më të preferuar. Po kështu sot. Bandat, banditët, vrasësit janë njerëzit më të preferuar të Edi Ramës dhe ministrave, sepse nëpërmjet tyre, ata realizojnë fitimet që nuk i nxjerrin dot me ligjet. Dhe kjo është arsyeja e lidhjes së tyre me krimin, me drogën.
Edi Rama monizmin e tij e bazon në vjedhjen e qytetarëve shqiptarë. Kemi folur çdo ditë por vjedhjet e qindra milionë eurove në djegësat, në Durrës, në tendera sekretë, në Portin e Durrësit dhe kudo.
Dje Departamenti i Shtetit denonconte në mënyrë eksplicite vjedhjen me djegësat. 237 mln dollarë janë zhdukur thoshte, janë zhdukur në xhepat e Edi Ramës, Erion Veliajt, Arben Ahmetaj, Engjëll Agaçit, pa asnjë diskutim. Pra këta vjedhin. Por vjedhjet më të mëdha këta i bëjnë në punë publike.
Po vija këtu dhe rrugët anësore, Lekaj-Fier, rrugët anësore kushtojnë me Edi Ramën 2.2 herë më shumë se sa vetë autostrada, se sa vetë bajpasi i Fierit, se sa kilometri në autostardën Levan-Vlorë. A mund të imagjinohet kjo. Këta ndërtojmë kilometrin me paratë tuaja, 24 mln euro autostradë në fushë. Këta vjedhin 70 deri në 90% të gjithë fundit të punëve publike. Këta ndërtojnë një shkollë e cila kushton 700 mijë euro në të gjitha manualet e ndërtimit me 5-6 mln euro dhe këto janë realitete", deklaroi Berisha.
PO ashtu, Berisha tha se Edi Rama shpenzon 22 mln euro për udhëtime me avion privat, ndërsa fermerët nuk subvencionohen për prodhimet e tyre.
Kreu i PD theksoi se përveç vjedhjeve zyrtarët e qeverisë reflektojnë edhe injorancë kur u thonë qytetarëve se gabuan që mbollën ullinj.
"Këta jetojnë vetë në mënyrë përrallore. Ai udhëton me avion, shpenzon 22 mln euro me avionin privat me dhomë gjumi brenda. Me 137 fluturime. Presidenti i SHBA bën 47 fluturime, ai bën 137 fluturime. Shtrohet me biftek 1 mijë euro, darkë 10 mijë euro. Këta nuk duan të ja dinë për qytetarët. Për ta qytetarët janë qenie inferiore, këta mbajnë për qytetarët atë qëndrim që mban hajduti që vjen, ndaj viktimës së tij. Në këtë kontekst, sot ose kurrë ky vend na fton të bashkohemi. Të shpëtojmë njëri-tjetrin, të shpëtojmë shoqërinë dhe Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe që po e shkatërron çdo ditë.
Këtu ju e përmendët shumë bukur, pasuritë e Selenicës, të njohura e thatë, kjo minierë për mineralin e saj, ziftin, është më e famshmja në Europë. Pasuri të tjera ka plot. Këto nuk shndërrohen në mirësi për ju. Prodhimet tuaja nuk shndërrohen në mirësi për ju, se kjo qeveri në vend që të ju ndihmojë ju, thotë pse i mbollët, bëtë gabim që i mbollët. Po a ka injorancë më të madhe që ti thuash tjetrit, bëre gabim që mbolle ullirin i cili kalon nga brezi në brez edhe 300 vite. Për herë të parë këta nxorën këtë teori.
Po çfarë bëjnë të tjerët. I kanë të zgjidhura. Është e vërtetë që një vit ka prodhim më tepër se 1 vit tjetër dhe është e vërtetë që këtë vit ndërhyn shteti dhe të paguan me çmimin bazë dhe nuk të len që ti të mjerohesh, që ti të shkosh ti vesh sopatën, por të presësh vitin tjetër dhe vitin tjetër.
Pra këtu ka një raport armiqësor mes qeverisë dhe fermerëve, dhe ju. Në botë nuk ekziston një shtet tjetër që të vendosë TVSH-së zero në blerje dhe 20 % në shitje. Është në kundërshtim me ligjin, me interesat e çdo fermeri. Është në interes të çdo fermeri të huaj që i importohen prodhimet dhe i vijnë në Shqipëri dhe operatorët shqiptarë kanë më leverdi të marrin prodhimet e huaja se sa tuajat. A ka një mënyrë se si ti mjerosh ndryshe njerëzit. Se si fermerët të thonë, nuk ka duhet gjë kjo fermë, nuk po më ecën, ik bir shko ku të duash se këtu nuk ja dalim dot, në një kohë kur mund të ja dalësh shumë herë më mirë.
Një shkatërrim, një rrënim gjatë këtyre 8 viteve. Myzeqeja kishte para 8 vitesh 35 mijë kokë lopë rrace. Janë pakësuar dhe po pakësohen me shpejtësi të madhe. Po pse? Sepse dengu i barit po kushton aq shumë sa nuk nxirret dot me litrin e qumështit. Dhe toka që është e bekuar na kthehet ne në një tokë të mallkuar, që nuk na jep. Kjo ndodh me çdo gjë në këtë vend", theksoi Sali Berisha,