Basha mesazh Ramës: Shfaqjet e kushtueshme nëpër botë nuk i mbushin xhepat e shqiptarëve
Kreu i PD-Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha reagoi sot ndaj takimit të Kryeministrit Edi Rama me shqiptarët në Selanik, duke u shprehu se është përgjegjës për kapjen e institucioneve shtetërore.
Basha theksoi në një postim në rrjetet sociale se “keqqeverisja e kryeministrit Rama ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e kushteve të jetesës së shqiptarëve, të cilët po largohen masivisht nga vendi në kërkim të një jete më të mirë”.
“Shqiptarët janë të parët si azilkërkues nga një vend që nuk është në luftë, pensionistët kanë pensionet më të ulëta në rajon, qytetarët paguajnë 60% të shpenzimeve për shëndetësinë “falas” nga xhepi i tyre, e kjo qeveri u rimburson ilaçe pa asnjë efekt për trajtimin e sëmundjeve, vendi ynë ka çmimet më larta dhe pagat më të ulëta në Europë. Ky është realiti që rëndon sot mbi shqiptarët”, shkroi Basha.
“E ndërsa nuk i mashtron dot më shqiptarët, vjen vërdallë nëpër botë për t’u folur atyre të cilët duhet të mbajnë me para edhe familjen në Shqipëri për shkak të keqqeverisjes së tij”, theksoi Basha.
“Propaganda dhe shfaqjet e kushtueshme nëpër botë nuk i mbushin xhepat e shqiptarëve, por i varfërojnë edhe më tej ato”, nënvizoi Basha.