Balluku takon Escobar-in në Uashington: Qeveria e fokusuar në angazhimet që ka marrë dhe shembullin që duhet të japë në rajon
Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, në vizitën e saj disaditore në SHBA, ka takuar të dërguarin e SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.
Balluku tha se në takim e ka siguruar Escobar, që Qeveria Shqiptare është e fokusuar plotësisht për përmbushjen e angazhimeve të marra dhe për rolin e rëndësishëm që duhet të luajë në rajon dhe shembullin e mirë që duhet të japë.
Uashington- Në Departamentin e Shtetit takova Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, ku diskutuam për një sërë çështjesh kritike për rajonin, për aktualitetin e ditëve të fundit dhe mbi të gjitha për rolin e rëndësishëm që Shqipëria dhe Kryeministri Rama po luajnë në këto momente vendimtare.
Escobar mbetet një nga njohësit më të mirë të rajonit pranë Departamentit të Shtetit. Ai dhe skuadra e tij janë të gatshëm të ndihmojnë në zgjidhjen e situatave dhe mbarëvatjen e reformave dhe proceseve jetësore për vendet e Ballkanit Perëndimor.
E sigurova që Qeveria Shqiptare është e fokusuar plotësisht për përmbushjen e angazhimeve të marra dhe mbi të gjitha jemi koshient për rolin e rëndësishëm që duhet të luajmë në rajon dhe shembullin e mirë që duhet të japim.