Apeli i GJKKO-së rrëzon Fredi Belerin për ndryshimin e masës së sigurisë

Apeli i Posaçëm rrëzoi kërkesat e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i arrestuar për shitblerje votash dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit.

Beleri kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, dhe lejimin e tij për realizimin e betimit para qytetarëve të Himarës.

Të dyja këto kërkesa janë rrëzuar nga Apeli i GJKKO-së edhe pse seanca e parë gjyqësore e tij u ndoq nga afër nga ambasadorja greke, Kostandina Kamitsi si dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule.

Vendimi i Apelit

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 18.09.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 139 akti, datë 11.09.2023 regjistrimi, me objekt “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal”, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim Dh.A.B., ndaj vendimitnr. 323 Akti, datë 21.08.2023të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

- Lënien në fuqi të vendimit nr. 323 Akti, datë 21.08.2023të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Vendimi i katër ditëve më parë

Më 14 shtator Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi të kalojë për gjykim çështjen e Belerit, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Në seancën paraprake prokurorët e çështjes deklaruan se provat dhe faktet në dispozicion, përfshirë audio-përgjime, mbështesin akuzën e ngritur prej tyre. Edmond Dema, avokati mbrojtës i zotit Beleri, kërkoi pushimin e çështjes, me pretendimin se provat janë të paligjshme. Por gjykata mësohet se e ka konsideruar të plotë hetimin e Prokurorisë, duke i hapur rrugë nisjes së procesit gjyqësor.

Avokati Dema, tha pas seancës se është e pakuptimtë që Beleri të vijojë të mbahet në arrest me burg, aq më tepër tani që hetimet janë mbyllur. Ai deklaroi se nuk është kërkuar gjykim i shkurtuar. “Do të jetë një proces i gjatë, pasi ne do të thërrasim shumë dëshmitarë”, deklaroi ai.

Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Zoti Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik. Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, të cilave ai u është drejtuar sërish me të njëjtën kërkesë.

Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian. Zyrtarët grekë po e ngrenë këtë çështje në instance të ndryshme ndërkombëtare.

Qeveria shqiptare është kundërpërgjigjur duke deklaruar më se një herë se kjo është një çështje e Drejtësisë e duke refuzuar kategorikisht çdo lloj ndërhyrjeje ndaj sistemit gjyqësor. Ndërsa kryeministri Rama, jo më larg se një ditë më parë tha se Shqipërisë askush nuk mund t’i japë leksione për trajtimin e minoriteteve.

EMISIONET