Akademik mbi 75 vjeç, opozita kundër draftit: Mekanizëm për marrjen dhe mbajtjen e kontrollit të Akademisë
Komisisioni i Ligjeve ka nisur diskutimin për ndryshimin e moshës së titullarëve në Akademinë e Shkencave.
Qeveria propozon heqjen e kufirit që në detyrë të jenë deri në 75 vjeç.
Nisma është kundërshtuar nga opozita, e cila shprehet se po kërkohet të kapet politikisht ky institucion.
“Janë ndryshimet e mekanizmit të marrjes dhe mbajtjes së kontrollit të Akademisë së Shkencave. Dhe sa kohë ne e dimë shumë mirë që këtu të gjitha institucionet po kapen, nuk ka ngelur një i vetëm pa u kapur politikisht nga qeveria. Dhe Akademia e Shkencave, jo për hipotezë, por për fakt edhe këtë e dimë”, u shpreh deputeti i Partisë Demokratike në këtë komision, Oerd Bylykbashi.
Përfaqësuesit e Akademisë në kundërshtimin e tyre paraqitën argument në mbrojtje të nismës.
“Përderisa po mbushi moshën deri në 75 vjeç ai apo ajo të përjashtohet? Jo. Ky ligj i lë në vullnetin e tyre edhe angazhimin e tyre jo me detyrim, dhe janë pjesë e Akademisë”, u shpreh përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave.
Përballja me draftin vjen në kohën kur u shkri dhe Akademia e Albanologjisë.