400 mijë euro pa pronar, Berisha: Pastruesja të shpallet e penduar e drejtësisë, po kërcënohet të mbyllë gojën
Prokuroria e Tiranës, ka kërkuar bashkëpunimin me Rozeta Dobin alias Rakipllarin, pastruesesen e arrestuar për vjedhjen e shumave të mëdha të eurove në banesën e Alda Klosit, ish-drejtoreshës së Kabinetit të ministrit Arben Ahmetaj.
Gruaja që tronditi opinionin publik me vjedhjen e rreth 525 mijë euro, 8500 dollarëve, 368.000 lekëve dhe 110 sendeve me vlerë, vijon të mbajë misterin e pronësisë së një shume financiare prej 404 mijë euro, të gjetura në tubin e aspiratorit në banesën e saj.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha thotë se pastruesja ka marrë kërcënime që të mos flasë
"Sipas të gjitha të dhënave, Alda Klosi ose i mbante paratë në dyshek dhe flinte, se maniakët e parave, ndjehen komfort kur flenë në dyshekë të mbushur me parë, ose ajo i dha kodin e kasafortës. Ia dha në roje. Ia dha në mirëbesim.
Pra, këtu qëndron edhe rebusi.
Ndërkohë, Rozeta Dobi ka marrë kërcënime nga më të mëdhatë. Qeveria ka bërë përpjekje për t’i mbyllur gojën asaj. Gjithçka është bërë dhe ajo realisht e kërcënuar shumë."
Berisha kërkon nga prokuroria të shpallet e penduara e drejtësisë.
"Thirrja ime është që ajo të shpallet e penduar e drejtësisë. Çka nuk ndodh. Se kjo e lemerit Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn" tha Berisha sot në konferencë.
Alda Klosi pranon se të sajat janë vetëm 120 mijë euro, për të cilat ka bërë edhe kallëzim.
Për shumën e konsiderueshme të 405 mijë eurove, shumë e cila vijon të mbetet jetime, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal me dyshimet e pastrimit të parave. Hetimi është pa emër.