405 mijë eurot pa pronar, procedim penal pa emër për pastrim parash, kontroll në banesën e Alda Klosit
Prokuroria Tiranës vijon hetimet për identifikimin e personave apo personit që disponon shumën e 405 mijë eurove të gjetura në tubin e ajrimit të Rozeta Dobit.
Burime nga akuza bëjnë me dije se janë kryer kontrolle në banesën e shtetases Alda Klosi, ku ajo jetonte me qira në Rrugën e Kosovarëve.
Gjithashtu sipas informacioneve veprimet hetimore janë duke u kryer, ku kontrolle pritet të bëhen edhe në banesat e tjera që ajo rezulton pronare në kryeqytet.
Prokuroria ka marrë edhe dëshminë e ish-zyrtares së lartë. Institucioni i akuzës tregohet mjaft i rezervuar për deklarimet e saj dhënë përpara oficereve të policisë gjyqësore.
Por, nga informacionet mësohet se Klosi ka mbajtur të njëjtin qëndrim, ku sipas saj në banesën e saj janë vjedhur vetëm 120 mijë euro, duke mohuar se ajo ka dijeni për shumën e konsiderueshme prej 405 mijë euro të gjendur në tubin e ajrimit të Rozeta Dobit.
Vetë sanitarja pretendon se e gjithë vlera monetare gjetur në banesën e saj është vjedhur në banesën e Alda Klosit, por kjo e fundit pranon se të sajat janë vetëm 120 mijë euro, për të cilat ka bërë edhe kallëzim.
Për shumën e konsiderueshme të 405 mijë eurove, shumë e cila vijon të mbetet jetime, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal me dyshimet e pastrimit të parave. Hetimi është pa emër.